Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme te Komuna e Parisit. Si pasojë e këtij atentati një person është qëlluar dy herë me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur. Ai ndodhej në automjetin me targa AA 777 RT dhe është dërguar menjëherë në spital. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.
Informacioni paraprak nga Policia:
Më datë 03.08.2017, në Numrin e Emergjencave 112, rreth orës 19:55, ka ardhur një telefonatë për shkëmbim zjarri në kryqëzimin e Komunës së Parisit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim zjarri midis disa mjeteve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur në shpatull shtetasi L.H., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit. Vazhdon krehja e zonës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.