Detaje të reja janë zbuluar nga atentati ku mbetën të vrarë kreu i OSHEE-së së Vlorës Roland Saliu dhe biznesmeni, Mirvjen Hysenit, pronar i një media lokale në qytetin e Vlorës. Sipas Ora News burime brenda grupit hetimor kanë bërë të ditur se në makinën e cila u gjet e djegur në nënkalimin e Panajasë është gjetur një armë, gëzhojat e të cilës përputhen me gëzhojën e gjetur në vendin e krimit. Kjo ka bërë që grupi hetimor të mendojë se kjo është arma me të cilën është kryer atentati i 24 majit në sheshin “Flamuri” në Vlorë. Gjithashtu burimet e grupit hetimor thonë se në sediljen e pasme të automjetit kanë arritur të gjejnë të padjegur plotësisht një maskë të zezë, e cila mendohet se është përdorur nga autorët. Po ashtu, ekspertet kriminalistë kanë arritur të gjejnë edhe gjurmë por edhe fije floku të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit të ADN-së. Këto do të hedhin dritë mbi ngjarjen e tre ditëve më parë. Pistat kryesore të hetimit janë ato që kanë të bëjnë me të shkuarën e Mirvjen (Erven) Hysenit , ku nuk përjashtohet ngjarja e dy viteve më parë në lagjen 24 maji në Vlorë, ku mbeti i vdekur Haki Rakipi i afërm i Hysenit.