INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Athinë, përleshje mes protestuesve dhe policisë në përvjetorin e katërt të vrasjes së muzikantit

Athinë, përleshje mes protestuesve dhe policisë në përvjetorin e katërt të vrasjes së muzikantit

Publikuar më: 10:40 17-09-2017

Policia greke u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhjetëra protestuesve që kanë hedhur bomba molotov para disa zyrave të “Agimit të Artë” në një lagje të Athinës, mbrëmjen e së shtunës. Rreth 3 mijë aktivistë grekë dhe emigrantë, marshuan nëpër qendrën e Athinës duke mbajtur pankarta në të cilat shkruhej “Të dënohen vrasësit e AA” dhe “Të mbyllen zyrat e partisë neonaziste”. Protesta nisi me marshim nga sheshi “Sintagma”, për të përkujtuar përvjetorin e katërt të vrasjes së të riut antifashist, muzikantit Pavlos Fyssas, nga një anëtar i kësaj partie. Protestuesit kaluan para Ambasadës së SHBA ndërsa vazhduan rrugën e tyre drejt zyrave kryesore të Partisë së Agimit të Artë të ekstremit të djathtë, anti-emigrante, duke kërkuar që zyrat të mbyllen dhe anëtarët e partisë të burgosen. “Jemi me mijëra këtu duke demonstruar, në kujtesë të çështjes së Pavlos Fyssas në përvjetorin e tij të katërt.

AP_17259687658248-640x400.jpg

Gjyqi i Agimit të Artë vazhdon, ndërsa ajo që ne kërkojmë është mbyllja e zyrave të tij, sepse ato janë qendra ku po organizohen sulme të reja”, tha Petros Konstandinou, udhëheqës i Unionit kundër racizmit, fashizmit dhe dhunës. Pasi protesta ka degjeneruar në dhunë dhe protestuesit u kanë vënë zjarrin dy makinave e kanë shkatërruar disa “ATM”, policia ka shoqëruar të paktën 8 persona, ndërsa një oficer policie është plagosur. Vrasja e këngëtarit antifashist Pavlos Fyssas, në shtator të vitit 2013, shkaktoi protesta në të gjithë Greqinë dhe u bë shkak për arrestimin e pothuajse të gjithë grupit parlamentar të kësaj partie, si dhe fillimin e një hetimi të madh, që çoi më pas në një proces gjyqësor më 20 prill të vitit 2015. Mbi 68 persona anëtarë të lartë dhe mbështetës të “Agimit të Artë” akuzohen për pjesëmarrje në këtë organizatë kriminale, në një gjyq që vazhdon ende, ndërsa partia neonaziste vazhdon të jetë forca e tretë ose e katërt politike në vend.

Article Logic
Execution time: 0.0038139820098877