Një autobus i kompanisë ‘Flixbus’ që udhëtonte drejt Berlinit u aksidentua mëngjesin e sotëm duke dalë nga autostrada dhe u përmbys anës rrugës.
Aksidenti ndodhi përgjatë rrugës A19, pranë Linstow. Sipas transmetuesit NTV, 16 persona u plagosën në aksident ku 6 prej tyre kanë marrë dëmtime serioze.
Në autobus udhëtonin 55 pasagjerë. Një prej të plagosurve mbeti i bllokuar në mjet dhe u desh ndërhyrja e zjarrëfikësve për ta nxjerrë. Ndërkohë raportohet se nuk pati automjete të tjera të përfshira në aksident. Autostrada në drejtim të Berlinit, është mbyllur për trafikun që prej rreth orës 6:30.