Autostrada Tiranë-Elbasan do të hapet në të gjithë gjatësinë e saj të enjten më 14 mars.
Autoriteti Rrugor Shqiptar duket se ka zgjedhur t’u bëjë një dhuratë të gjithë atyre që do të festojnë në Elbasan “Ditën e Verës”, pasi ka njoftuar hapjen e segmentit deri te tuneli i Kërrabës.
Ndërkohë nga sot deri të enjten, trafiku në këtë aks do të devijohet nga rruga e vjetër që lidh kryeqytetin me Elbasanin.
“Për kryerjen e punimeve përfundimtare dhe dorëzimin e këtyre segmenteve propozohet devijimi i trafikut në rrugën nacionale ekzistuese “Tiranë-Elbasan” pasi karrexhata e djathtë e këtij segmenti, që aktualisht është në dispozicion të trafikut, do të jetë totalisht e bllokuar tek km 0 (2+800) në afërsi të rrethrrotullimit TEG, nga sot data 12 mars ora 15:00 deri ne 14 Mars 2019”, njofton ARRSH.
ARRSH bën apel për qytetarët, duke kujtuar devijimin e trafikut në rrugën nacionale ekzistuese “Tiranë-Elbasan”, pasi “është i domosdoshëm për të garantuar përfundimin e punimeve dhe vendosjen në përdorim të trafikut të seksioneve të sipërpërmendura nga data 14 Mars 2019”.