I rikthyer si titullar pas më shumë se pesë muajsh, futbollisti shqiptar që aktivizohet me skuadrën e Sturm Graz, Dionis Avdijaj ka shkëlqyer menjëherë, duke qenë autor i një goli dhe dy asisteve në fitoren 3-1 që skuadra e tij regjistroi në transfertë ndaj Grodig. Protagonist absolut në fitoren e të shtunës, Avdijaj është takuar sërish me golin pas më shumë se 8 muajve “agjerim”. Goli i fundit i shqiptarit në kampionat me Grazin datonte më 16 gusht.
Avdijaj u vlerësua me notën 8 pasi shënoi golin e barazimit në të minutën e 77′, por dha edhe dy pasime të sakta në kohën shtesë për sulmuesin Gruber që realizoi dygolësh. Donis Avdijaj cilësohet si një lojtar me të ardhme të ndritur, teksa pret me padurim ftesën nga Gianni De Biasi për t’u grumbulluar me Kombëtaren e Shqipërisë.