INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Aviacioni Civil, avioni i Guido Guidit s’ka patur defekt

Aviacioni Civil, avioni i Guido Guidit s’ka patur defekt

Publikuar më: 13:56 17-10-2016

Avioni i rrëzuar në Ishëm nuk ka patur asnjë defekt teknik apo humbje të kontrollit për shkak të turbulencave ajrore. Në këtë konkluzion ka arritur Aviacioni Civil pas hetimit teknik dhe raportin e ka depozituar pranë Prokurorisë, Ministrisë së Transporteve dhe Policisë së Shtetit.

Në këtë raport shkruhet se avioni s'ka patur defekt teknik, kushtet atmosferike kanë qenë normale dhe në zonën e Ishmit s'ka patur as turbulencë ajrore as rryma ajri të forta që mund të kenë shkaktuar devijimin e fluturimit të avionit.

Një tjetër rezultat i nxjerr nga hetuesit teknik të aviacionit civil është fakti se avioni është rrëzuar për shkak të përplasjes së rrotës së parë të mjetit fluturues me tokën si pasojë e manovrës së gabuar të pilotit. Sipas Report TV, ajo çka mbetet pa përgjigje nga ky hetim administrativ teknik është fakti se përse ka humbur kontrollin piloti kur avioni model piper i drejtuar prej tij nuk ka patur defekt teknik të mëparshëm apo gjatë momentit të uljes.

Sipas raportit rezulton se piloti italian Guidi ka kryer një ulje normale në pistën e improvizuar dhe pasi ka qëndruar për disa minuta ka bërë më pas ngritjen e cila ka rezultuar fatale duke sjellë për pasojë rrëzimin e avionit. Në momentin e mbërritjes së policisë në Ishëm piloti Italian deklaroi se ishte aksidentuar pasi avioni model Piper kish patur defekt. Aktualisht avioni në pronësi të Aero Club Savona ndodhet i sekuestruar në Ishëm për llogari të hetimit të prokurorisë së krimeve të rënda. Në Shqipëri qëndron dhe piloti Guido Guidi si person që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë Shqiptare për të zbardhur totalisht ngjarjen ku ka dyshime të forta se bëhet fjalë për rrjetin e trafikantëve që e kontaktuan Gudin të kryejë transportin e drogës.

Article Logic
Execution time: 0.0035250186920166