Avokati i Popullit vlerëson protestën e opozitës, si paqësore ndërkohë që përgëzon policinë për menaxhimin e situatës në mënyrë profesionale. Avokati Igli Totozani, së bashku me një grup ekspertësh të institucionit monitoroi protestën e organizuar sot nga opozita. Pas interesimit të gazetarëve Avokati i Popullit u shpreh: “Vlerësoj sjelljen paqësore të qytetarëve. Deri tani kjo protestë ka qenë tërësisht paqësore dhe pa probleme. Detyra jonë është që të monitorojmë sjelljen e institucioneve shtetërore dhe Policisë së Shtetit në protesta. Dhe për këtë rast më lejoni të shpreh vlerësimin edhe për institucionet shtetërore si dhe Policinë e Shtetit që menaxhuan situatën në mënyrë tërësisht profesionale”. Më tej Avokati i Popullit bën me dije se do të vijojë të kryejë të gjitha detyrat që I ngarkon ligji dhe Kushtetuta në mënyrë të paanshme dhe krejtësisht të pavarur.