Nuk ka asnjë surprizë nga ndeshjet e mbrëmjes së kësaj të mërkure për fazën e 1/8 të UEFA Champions League. Rekordmenët gjermanë, te Bayern Munich kanë shkatërruar anglezët e Arsenal me rezultatin tenistik 5-1, duke e bërë thuajse të pamundur për topçinjtë e Arsene Wenger kualifikimin për çerekfinale. Robben, Lewandowski, Mueller dhe dy golëshi i Alcantaras i japin qetësinë skuadrës së Carlo Ancelottit për ndeshjen e kthimit. Goli i vetëm për Arsenal u shënua nga Sanchez i cili barazoi përkohësisht shifrat në 1-1.
Real Madrid ka fituar 3-1 ndaj Napoli në ndeshjen e parë për 1/8-t e finaleve të Champions League, luajtur në “Santiago Bernabeu”. Napoli, i drejtuar nga Maurizio Sarri, shënoi i pari me anë të sulmuesit italian Lorenzo Insigne. Ishte një gol i mrekullueshëm nga rreth 35 metra distancë, pas pasimit të marrë nga Marek Hamsik, duke kapur në befasi portierin vendas Keylor Navas. Por golat e Benzema, Toni Kroos dhe Casemiro përcaktuan edhe fatin e ndeshjes. Ky rezultat i lë pak shpresa Napolit për përmbysje në ndeshjen e kthimit.