INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bajrami, besimtarët do të falen në sheshin “Skënderbej”, parkingu falas

Bajrami, besimtarët do të falen në sheshin “Skënderbej”, parkingu falas

Publikuar më: 14:46 24-06-2017

Për herë të parë, me rastin e Fiter Bajramit, sheshi “Skënderbej” do të shërbejë si një hapësirë për besimtarët myslimanë të cilët nesër do të kenë mundësinë të falen aty.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman Shqiptar, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij organizimi, duke bërë edhe dekorimin e sheshit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, inspektuan detajet e fundit të organizimit dhe uruan të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. 

“Jemi kujdesur për zbukurimin e qytetit për të theksuar se ky është një qytet i të gjithëve dhe besoj se në raste të tilla është çasti të urojmë njëri-tjetrin dhe të falenderojmë të gjithë ata që bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët të këtij qyteti sepse qyteti nuk është vetëm infrastrukturë, por edhe kulturë, edhe besim”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se pas afro një dekade, besimtarët myslimanë do të kenë mundësi që të falen në kushte dinjitoze, ndërsa shtoi se tashmë sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë në shërbim të qytetarëve. 

“I largohemi situatës ku besimtarët faleshin në rrugë. Nuk ishte dinjitoze për qytetin, i cili nuk ofronte dot një hapësirë publike. Besoj se me miratimin e kësaj kërkese, bashkia ka marrë një vendim të drejtë sepse sheshi është për njerëzit, ndaj siç përdoret për koncerte, për evente, për aktivitete, ashtu duhet të përdoret nga të gjithë besimtarët”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndërsa bëri me dije se parkingu nëntokësor në sheshin Skënderbej do të jetë falas për të gjithë besimtarët nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit. 

“I kemi marrë të gjitha masat për nevojat logjistike. Parkingu nëntokësor do të jetë falas për besimtarët nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit. Nëse parkingu i sheshit do të jetë plot, atëherë do të hapim edhe parkingun te Bulevardi i Ri, çka besoj se është mjaftueshëm për të gjithë besimtarët që vijnë nga jashtë unazës”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ky ka qenë një muaj fantastik solidariteti, ku besimtarët myslimanë kanë ndihmuar familjet në nevojë në mensat sociale. 

"Përveç besimtarëve që kanë agjëruar dhe lutem që Zoti t’ua pranojë agjërimin dhe sakrificën, ka qenë edhe një muaj fantastik solidariteti në qytetin tonë. Janë ndihmuar shumë shtëpi, fëmijë, janë ndihmuar shumë qendra sociale, janë ndihmuar shumë mensa sociale, shumë qendra për fëmijët e rrugës, për gratë e veja. Dua t’i falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat myslimanë sepse ka qenë një muaj solidariteti, përveç sakrificës së Ramazanit. Shpresoj, dhe lutja ime është që ky solidaritet që ne pamë në këtë muaj të vazhdojë gjatë gjithë muajve të vitit, sepse besoj kjo është ekzaktësisht fryma që i duhet Tiranës”, theksoi Veliaj.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra vlerësoi Bashkinë e Tiranës për investimin dhe kontributin, ndërsa theksoi se tashmë besimtarët myslimanë do të kenë mundësi që të falen në sheshin “Skënderbej”. 

“Pas një dekade rikthehemi për t’u falur në një ambient publik të mirëstrukturuar, të mirëinvestuar nga Bashkia e Tiranës. E fundit herë që është falur Bajrami i Madh në sheshin “Skënderbej” nga myslimanët e Tiranës dhe të gjithë vendit ka qenë viti 2009. Ajo që dua të ndaj sot për të gjithë besimtarët është që hapësira në dispozicion, pas rregullimit të sheshit ‘Skënderbej” nga Bashkia e Tiranës, është prej 16 mijë metra katrorë e ndarë 3 mijë metra katrorë për zonjat besimtare që do të jenë në orët e para të mëngjesit dhe 13 mijë metra katrorë në dispozicion për vëllezërit besimtarë. Pra, jo për ta falur më tashmë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por në një shesh i cili është në dispozicion të çdo qytetari dhe besimtari njëherësh dhe për të qenë të gjithë sëbashku nesër në orët e para të mëngjesit në orën 6 për të falur Bajramin e madh”, tha Gurra.

Article Logic
Execution time: 0.0043718814849854