Vijon debati mes PD-së dhe Ballës lidhur me Dritan Zaganin. Deputeti i PS-së Taulant Balla i është përgjigjur deklaratës së Lulzim Bashës se ish-kreu i antidrogës Dritan Zagani nuk është dënuar, duke publikuar në Facebook vendimin e arrestimit me 3 vite burg të Dritan Zaganit.
Balla paraqiti dokumentin e arrestimit të Zaganit duke i kërkuar kreut të PD që ta mbyllë këtë debat.
Statusi i Ballës
E ftoj miqësisht Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike të heqë dorë nga heroi i tyre mediatik Dritan Zagani.
Nuk mundet që partia kryesore e opozitës të ketë hero një të dënuar me Vendim të formës së prerë “Në emër të Republikës” me 3 vite burgim.
Shikojeni vendimin!
Nuk pres që Lulzimi Basha dhe as PD të kërkojë ndjesë. Sepse siç thashë në mëngjes, të gënjejë është e vetmja punë që Lulzim Basha di të bëjë më mirë.
Por të betohesh për drejtësi mbi fjalët e një personi të arrestuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që në hetimin e saj ka konstatuar krimin e dekonspirimit (për llogari të një grupi trafikantësh) të një operacioni antitrafik të Policisë së Shtetit dhe më pas i dënuar nga Gjykata për largim nga vendi i qëndrimit të detyruar, kjo nuk është vetëm qesharake, por është shembulli më i qartë ku ka degraduar “vizioni” i PD për drejtësinë”.
E mbyllim këtu këtë debat, Lulëzim!