Banorët e Unazës së Re nuk ndalen së protestuari edhe pse tashmë jemi shumë pranë Vitit të Ri. Për këtë ditë feste, ata kanë zgjedhur që të protestojnë ndryshe, pasi si simbolikë të natës së ndërrimit të viteve, kanë marrë një pemë të Vitit të Ri dhe e kanë vendosur në mes të rrugës.
Kujtojmë që banorët e zonës së Astirit kanë dy muaj që protestojnë kundër projektit të zgjerimit të rrugës, dhe shumë prej banesave të tyre do të prishen.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit ose dëmshpërblim 100 % të pronave të tyre në vlerën e tregut. Në ditën e 58 të protestës, ata vazhdojnë me thirrjet se e duan Shqipërinë pa kryeministrin Edi Rama. Në mbështetje të banorëve ishte dhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.