Manchester City nuk ka aritur të fitojë dot në javën e 28’të në Premierligë, pasi është ndalur në shtëpi nga Stoke City, duke barazuar 0:0. Manchester City u duk një skuadër pa shumë ide në “Etihad Stadium”, në mbrëmjen e së mërkurës. Nga ana tjetër Stoke u shfaq perfekte në përkushtim dhe në fazën mbrojtëse dhe e meritoi plotësisht pikën e marrë në fushën e një prej ekipeve më të mira në Angli. Guardiola la pushim disa titullarë, mes të cilëve Sterling, por skuadra e City nuk bëri mjaftueshëm në fushën e lojës. Skuadra e tij nuk krijoi sa duhet raste për shënim dhe nisi të shfaqet e rrezikshme vetëm pas aktivizimit të David Silva. Barazimi e lë City me pikë të barabarta me Tottenham të vendit të dytë, 10 më pak se Chelsea kryesues, 11 ndeshje para fundit të kampionatit.