Kujt ia priste mendja se Barcelona mund të kualifikohej mbrëmë pasi pësoi golin nga PSG në minutën e 62-të? Këtij tifozi shqiptar!
Ndonjëherë e pabesueshmja ndodh dhe askush nuk u beson syve, por ekzistojnë edhe ata që këtë të pabesueshme arrijnë ta parashikojnë. E tillë ishte ndeshja e djeshme ndërmjet Barcelonës dhe Paris Saint Germain, e vlefshme për raundin e 16-eve në kompeticionin europian më prestigjoz për klube, Uefa Champions League. Katalanasit gjendeshin përballë një misioni të pamundur pasi kurrë më parë në historinë 62 vjeçare të këtij kompeticioni nuk kishte ndodhur që një ekip të kualifikohej në ndeshjen e kthimit pasi të ishte mundur me një diferencë prej 4 golash në ndeshjen e parë. Si për të thyer gati në mënyrë fatala shpresat e spanjollëve pas një pjese të parë të shkëlqyer, vjen goli i Edinson Cavani në minutën e 62-të i cili dukej se i rrënonte përfundimisht shpresat blaugrana. Pikërisht këtu futet në lojë tifozi shqiptar, mesazhi i të cilit na ka mbërritur sot në mëngjes në redaksi. Në momentin që uruguajani ka shënuar gol, tifozi, që ka preferuar të mbetet anonim, parashikoi jo vetëm se Barcelona do të kualifikohej, por edhe rezultatin e saktë 6-1. Diçka e tillë konfirmohet nga ora në të cilën ka ardhur mesazhi (22:13), e cila duket lehtësisht në mesazhe, që korrespondon me momentin e saktë kur Cavani ka realizuar golin. Pikërisht 6-1 ishte i vetmi rezultat që mund ta shpëtonte Barçën, të cilës i duheshin 3 gola në më pak se 30 minuta lojë. U tha, u bë! Dhe askush nuk po u besonte më syve, përveç këtij tifozi.