Barcelona rimori kreun e renditjes së La Ligas me një fitore 2-1 në Andaluzi ndaj Malagas.
Një gol i Lionel Messit i dha 3 pikët katalanasve në një ndeshje aspak të thjeshtë, ku vendasit vërtetë nuk patën epërsi në kontrollin e topit por krijuan më tepër se Barça, sidomos në pjesën e parë.
Goli i El Hadadit në minutën e 2-të të ndeshjes i dha Barcelonës startin e duhur, por një pasiguri e gjatë në mbrojtje në minutën e 31-të solli barazimin me anë të Juanpis. E vendosur në vështirësi nga Malaga, Barça kishte nevojë për një magji të Messit që me një goditje stil gërshërë në të 51-tën i dha suksesin Barcës.
Malaga iu afrua barazimit në të 73-tën por Claudio Bravo mbajti përpara të tijtë, ndërsa në të 88-tën ishte Kameni që bëri një pritje fantastike ndaj Messit, që gjithsesi ishte njeriu i ndeshjes duke shfaqur dhe një herë tjetër të gjithë klasin e tij si futbollist për fitoren e radhës së blaugranave.