Barcelona hodhi një hap të sigurtë drejt finales së Kupës së Mbretit me fitoren e mbrëmshme ndaj një prej rivalëve më të fortë të viteve të fundit
, Atletico Madrid. Golat e Suarez dhe Messit në pjesën e parë, i dhanë avantazhin e dyfishtë “blaugranave”, të cilët luanin pa trurin e tyre në mesfushë, Andres Iniesta. Uruguaiani Suarez shënoi një gol mjaft të bukur, teksa shmangu disa nga lojtarët e Simeones. Pak minuta më pas, ishte i përhershmi Messi, i cili shënjestroi portën nga një distancë afro 25 metra. Por Atletico nuk u ndal dhe shkurtoi diferencat me francezin Griezmann, duke i dhënë kështu një tjetër shpresë skuadrës për ndeshjen e kthimit një javë më pas në “Camp Nou”.
Mbrëmjen e djeshme u luajtën dhe disa ndeshje të Premier Ligës angleze, ku spikati fitorja e Manchester Cityt në fushën e West Ham me rezultatin 4-0. Ndërkohë tjetër histori për Manchester United, i cili u ndal në barazim pa gola me ekipin e fundit në renditje, Hull City. Evertoni nuk mori më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Stoke.