Autoritetet italiane në Bari kanë goditur një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ndërkohë droga e llojit marijuanë, e gjetur në bordin e gomones ishte e ndarë në 55 pako dhe sipas përllogaritjeve mund të kapte në treg fitime prej 8 milionë eurosh. Dyshohet se gomonia është nisur nga Vlora.
Në operacionin më të fundit është ndaluar një gomone e mbushur me 885 kg drogë, e cila kishte zbarkuar në brigjet e Garganos dhe vinte nga bregdeti i Shqipërisë.
Në operacion kanë marrë pjesë Forcat ajrore dhe detare të Guardia di Finanza dhe FRONTEX.
Operacioni është kryer dje rreth orës 19.00, ndërsa mediat italiane raportojnë se trafikantët hoqën qafe një pjesë të ngarkesës duke e hedhur atë jashtë gomones.
Aksioni i policisë italiane është finalizuar me arrestimin e dy skafistëve shqiptarë. Të ndaluar janë shtetasit me iniciale K.B. 52 vjeç dhe B.A 39 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Dy skafistët e braktisën mjetin lundrues në një plazh duke u zhdukur në errësirë.
Guardia di Finanza e Foggias arriti t’i kapë ata ende me rrobat e pathara, të strehuar brenda një banese.
Dy të arrestuarit rezultojnë të kenë precedentë të mëparshëm penalë, dhe ndodhen në paraburgim.