Me aktivitetin artistik prej tre dekadash në Teatrin e Operës dhe Baletit baritoni Ylber Gjini është nga zërat më të vlerësuar. Ai ishte I ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Soirée” me Jonida Shehun në Top Channel për të folur rreth muzikës klasike, pse ka vazhduar të ndjekë këtë zhaner edhe pse është më pak i vlerësuar sipas tij. Baritoni i njohur ka theksuar kushtet e vështira me të cilat është përballuar gjatë gjithë rrugëtimit të tij në Teatrin e Operës.
“Sakrificat janë maksimale, kushtet janë mizer fare. Teatri i Operës gjithmonë ka qenë i mangët përsa i përket kushteve, për aq vështirësi që ka. Që të bëhet heroizëm në art, është bërë aty. Në të ftohtë, që dilte avulli aty kur këndoje”, është shprehur Ylber Gjini.
Ndër të tjera ai ka treguar se është penduar që ka zgjedhur këtë rrugë dhe që ka vazhduar muzikën klasike, për vetë faktin se nuk është vlerësur ashtu siç ai e meritonte. “Jam bërë sepse i kushton një jete të tërë dhe të mos marrësh minimumin e asaj që takon”, ka shtuar baritoni i njohur Ylber Gjini.