Lulzim Basha ka zhvilluar takime me qytetarët në kryeqytet, ku ka biseduar për shqetësimet që ata hasin çdo ditë. Pensionet, ndihma ekonomike dhe punësimet ishin shqetësimet kryesore, për të cilat i janë ankuar qytetarët kryedemokratit. Prioritet për kryedemokratin është situata ekonomike dhe jo fasada, ashtu siç ka vepruar maxhoranca e majtë.
Lulzim Basha:
“Ne kemi një plan të llogaritur në detaj. Ajo që duhet është vullneti politik për ta zbatuar. Unë e kam, di ta bëj, dua ta bëj, jam i vendosur ta bëj. Ai tjetri e provuat 4 vite. Nuk është se nuk kishte lekë. Bëri palmat, bëri fishekzjarrët, bëri fasadat. Është çështje prioritetesh. Çfarë ke prioritet, ke pensionet, ke ndihmën ekonomike, ke punësimin, ke sipërmarrjen, ke fermerët apo ke zyrat e reja, ke sheshet dhe palmat? Ky ka zgjedhur këto të dyja”.
Taksat janë pika kryesore që ndan programin e së djathtës nga ai i së majtës. Për kryedemokratin ulja e nivelit të taksave do të ndikojë pozitivisht në rritjen e punësimit dhe ekonomisë së vendit.
Lulzim Basha:
“Ka funksionuar në Evropë, do të funksionojë edhe këtu. Të ulim taksat, të mbështesim njerëzit që punojnë, të mbështesim rininë. Ne kemi mjaftueshëm para edhe për pensionet, edhe për ndihmën ekonomike”.