INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha: Droga po shkatërron brezin e ri, republika e drogës duhet të rrëzohet

Basha: Droga po shkatërron brezin e ri, republika e drogës duhet të rrëzohet

Publikuar më: 20:14 01-03-2017

Gjatë fjalimit të tij para protestuesve në çadrën e lirisë përpara Kryeministrisë në ditën e 12-të të tyre, kreu i opozitës foli për një temë shumë aktuale dhe problematike gjithashtu, pikërisht për drogën. Basha u shpreh se republika e re do t’i japë fund fenomenit të drogës. Ai tha se degradimi i rinisë shqiptare ka vetëm një fajtor dhe ai është kryeministri aktual i vendit, Edi Rama, i cili së bashku me njerëzit e tij nuk e kanë lidhur të tashme dhe të ardhmet e tyre politike me shqiptarët e lirë dhe të ndershëm, por me narkotrafikantët, sipas Bashës.

Fjalimi i Bashës:

Kjo tendë e lirisë, sot i bën një shërbim të madh të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke ngritur këtu të vërtetën në shtizën e flamurit, Shqipëria ka një problem të madh me drogën dhe konsumimin e drogës nga brezi i ri. Kultivimi në masë i drogës është i lidhur me një kryeministër që fatin politik dhe biologjik, nuk e ka lidhur me shqiptarët, por me një grup kriminelësh që kontrollojnë trafikun e drogës.

Zgjidhja është e thjeshtë, Republika e drogës duhet të rrëzohet. Qeveria e drogës duhet t’i lërë vendin një Parlamenti dhe një qeverie që fatin e tyre e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht me qytetarët e Republikës së re. Kauza e kauzave mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme, instrumenti i vetëm që krijon qeveri llogaridhënëse ndaj qytetarëve.

Një republikë e re po lind dhe zgjidhja është në trupin dhe shpirtin e Republikës së re. Nuk është zgjidhja që do të vijë vetëm nga kryeministri i Republikës së re dhe zgjidhja është ndarja përfundimtare me problemin shkatërrimtar të drogës. Me vullnet politik dhe mbi të gjitha duke i nxjerrë narkotrafikantët nga sallonet e Kryeministrisë tek 313-ta dhe në çdo burg tjetër.

Kultivimi dhe trafikimi i drogës do të mundet vetëm kur të kemi një qeveri e cila nuk mbron dhe nuk ekziston për shkak të mbështetjes së krimit. Na duhet një orë e më parë të fitojmë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të nisin udhëtimin e një republike të re, e cila nuk do të pranojë kurrë që Shqipëria të bjerë në gjunjët e trafikantëve të drogës. Drogimi i shqiptarëve është bëma e fundit që ky kryeministër do të mbahet mend. Përcjellja e tij me vota është mbyllja për këtë problem dhe një derë e re hapet. 

Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit të kaluar janë raportuar dhjetëra shtrime të lidhura me përdorimin e drogës. Droga po shkatërron Shqipërinë. Nga argumentet që përdorën është se droga shkon për konsum në Bashkimin Evropian. Ky ishte sulmi më tinëzar i bërë kundër shëndetit të shqiptarëve që nga vendosja e komunizmit. Droga depërtoi tinëzisht në të gjithës strukturën e shoqërisë dhe në veçanti në pjesën më të pambrojtur, në rininë shqiptare.

Sipas të gjithë të dhënave, më shumë vlerë krijohet nga droga se sa nga çdo aktivitet tjetër. Të gjithë jemi dëshmitar se si droga u kthye nga kërcënim në rrezik imediat për demokracinë. Banditët e veshur me pushtet dhe me paratë e drogës shkatërruar procesin zgjedhor në vitin 2015 dhe u kthyen më keq në 2016 në Dibër, jo për të influencuar, por për të asgjësuar zgjedhjet.  

Article Logic
Execution time: 0.0034070014953613