INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha e Kryemadhi reagojnë ashpër pas denoncimit të nënkomisarit ndaj zyrtarëve të PS-së: Rrezikojmë përplasje shoqërore!

Basha e Kryemadhi reagojnë ashpër pas denoncimit të nënkomisarit ndaj zyrtarëve të PS-së: Rrezikojmë përplasje shoqërore!

Publikuar më: 19:48 26-09-2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe mos të mbyllë sytë para denoncimit të oficerit të policisë Emiljano Nuhu.

Ky i fundit denoncoi publikisht se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut. Në një deklaratë nga selia e PD-së Basha tha se të huajt nuk duhet të bëhen palë me qeverinë, pasi kjo heshtje rrezikon të çojë në përplasje shoqërore.

"Një vajzë e pambrojtur është dhunuar, përdhunuar, rrëmbyer dhe torturuar në mënyrë sistematike. Është një krim monstruoz që meriton dënimin më të rëndë.

Mbi të gjitha ky është një krim shtetëror, ndaj para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm sadisti çnjerëzor Rexhep Rraja, por edhe pushtetarët që i dhanë mbrojtjen shtetërore kriminelit: Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe Taulant Balla, ky i fundit një politikan bandit i zhytur në botën e krimit.

Së bashku me ta, para drejtësisë duhet të dalin të gjithë drejtuesit e policisë dhe të prokurorisë që braktisën ligjin, detyrën dhe qytetaren e pafajshme, veçanërisht ata që përndoqën, larguan dhe kërcënuan dhe bënë plane për ta eliminuar nënkomisarin Emiljano Nuhu që u përpoq të luftonte krimin.

Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mundësuar dhe mbrojtur nga funksionarët më të lartë të shtetit është këmbana e alarmit për të gjithë shoqërinë se tashmë jetët e cdo kujt janë të rrezikuara nga kriminelët e rrugës që mbrohen nga kriminelët e shtetit.

U bëj thirrje të gjithëve qytetarëve, veçanërisht grave dhe vajzave, që të mos heshtin por të ngrenë zërin dhe të dënojnë ashpër këtë krim shtetëror ndaj një gruaje të pambrojtur. Nëse nuk ngremë zërin të gjithë bashkë sot, krimi nuk do të kursejë asgjë as pronën, as jetën dhe as të ardhmen e askujt. Vetëm forca e njerëzve të bashkuar mund ta mposhtë diktaturën e krimit.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos mbyllin sytë sërish por të shohin nivelin alarmant të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, për të mos u bërë me heshtjen e tyre mundësuesit e kriminalizimit të shtetit.

Heshtja dhe iluzionet e rreme mundësuan drogën dhe krimin në politikë, por sot kjo heshtje rrezikon të çojë në përplasje shoqërore: kur shtetin e kap krimi, qytetarëve ju mbetet vetëm dhuna për të mbrojtur jetën dhe fëmijët e tyre.", tha Basha.

Edhe kryetarja e LSI-së ka reaguar lidhur me denoncimin e oficerit të policisë Emiljano Nuhu për përdhunimin e vajzës nga djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja.

Ajo e ka konsideruar këtë një skandal dhe sipas Kryemadhit vajza është viktimë e dhunës dhe epsheve të një socialisti të përkëdhelur.

Kryemadhi nga qyteti i Lezhës, atje ku po zhvillon edhe një takim me strukturat, dënoi ngjarjen, ndërsa shtoi se ky vend është kthyer në një bandë.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryemadhit për ngjarjen.

Besoj se e keni dëgjuar por sot ka ndodhur nja skandal tjetër i radhës. Një ish-oficer i Policisë Gjyqësore ka denoncuar se si ditën për diell, në mes të Komisariatit të Policisë në Fushë Krujë, i është vendosur pistoleta në kokë për të mos pranuar kallëzimin e një vajze të re, jetime, cila ishte dhunuar, rrëmbyer dhe përdhunuar nga djali i një deputeti.

Kjo është shumë e rëndë. Mezi po pres të shoh këto shoqatat në mbrojtje të grave, të cilat bëjnë projekte pa fund dhe kanë marrë në zyrat e Komisionit Evropian apo të ambasadave të huaja, mezi po pres të shoh ato personazhe publike që flasin nëpër televizione për dhunën ndaj grave, mezi po pres të shoh deklaratat e tyre në përkrahje të kësaj vajze, e cila është jetime, e ka të pamundur mbrojtjen e saj nga familjarët, që ka qenë viktime e dhunës apo edhe e epsheve të një djali socialisti më të përkëdhelur seç duhet.

Dhe më e tmerrshmja është që pistoleta në kokë i vihet në prezencë të kryetarit të bashkisë dhe të një kolegut tonë deputet. Kjo nuk ka ku të rrijë më. Ky vend është kthyer në një bandë.

Dhe njerëzit do të fillojnë të bëjnë vetëgjygjësi. Sot e bënë me një vajzë e cila nuk ka të atin, por nesër ato do të fillojnë ta bëjnë me fëmijët tanë.

Article Logic
Execution time: 0.0036869049072266