INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha flet për mediat italiane: Nuk është betejë për pushtet, çfarë i kërkon opozita Ramës

Basha flet për mediat italiane: Nuk është betejë për pushtet, çfarë i kërkon opozita Ramës

Publikuar më: 15:13 23-03-2019

Kreu i PD, Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “Il fatto quotidiano” teksa ka folur për aktualitetin politik në Shqipëri si dhe protestat. Basha ka thënë se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.

“Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.”- u shpreh lideri i opozitës.

Pjesë nga intervista:

Zoti Basha, ju jeni kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës që, prej më shumë se një muaji e gjysmë, po nxjerr në shesh në Tiranë mijëra njerëz kundër qeverisë Rama. Deri më tani kanë qenë 5 protesta, e fundit të shtunën e kaluar, “njëra nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë e sigurisht më e madhja në këto 6 javë” sipas jush. Pse edhe këtë herë policia përdori gazin lotsjellës?

Forcat e rendit e përdorën në mënyrë të rrezikshme dhe krejt të pajustifikueshme. Gazi lotsjellës u përdor qysh në fillim prej policisë dhe jo si alternativa e fundit e mundshme. Ekzistojnë pamje që tregojnë sesi gazi lotsjellës është përdorur në mënyrë të qëllimshme nga forcat policore për të dëmtuar protestuesit. Synimi është i qartë, nuk duan që njerëzit, veçanërisht gratë dhe familjarë me fëmijë, të marrin pjesë në protesta.

Nuk besoni se të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj?

Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pisëta.

Çfarë kërkoni ekzaktësisht?

Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.

Nëse do të votohej nesër, cilat janë gjasat që partia juaj të fitonte?

Kjo e jona nuk është një betejë për pushtet. Po luftojmë që të ketë drejtësi dhe një qeveri për qytetarët. Në këtë betejë besojmë se kemi edhe mbështetjen e shumicës dhe sondazhet e konfirmojnë këtë.

Article Logic
Execution time: 0.0038948059082031