Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se fajtor për cilësinë e arsimit në vend është vetëm Edi Rama dhe tha se gjatë qeverisjes së PD janë bërë investime në konvikte dhe për arsimin. Këto deklarata ai i bëri në emisionin “5 pyetjet” nga Ilir Babaramo. Ndërkohë, ai nuk nguroi ta cilësojë si të drejtë portestën e studentëve, duke theksuar faktin se Rama harxhon më shumë për luksin në Kryeministrisë se sa harxhon për shkollat dhe kopshtet.
“Protesta e studentëve është një protestë e drejtë, ajo vjen si rezultat i degjenerimit të lartë. Përgjegjësinë e ka një dhe vetëm një njeri, vetëm Edi Rama. Ne e kundërshtuam këtë ligj me të gjitha format. Ne do të anulojmë këtë ligj që në ditën e parë kur të vijmë në pushtet. Rama harxhon më shumë për luksin në Kryeministrisë se sa harxhon për shkollat dhe kopshtet. Në kemi sot arsimin me të shtrenjtë në Evropë, dhe kemi arsimin me cilësi më të ulët në botë. Ligji i arsimit të lartë, është korruptiv dhe klientetlist“, shtoi ndër të tjera Basha.
“Unë kam studiuar në Holandë dhe atje paguaja më pak se këtu. Studentët këtu paguajnë shumë më shumë. Unë kam paguar në Holandë 700 dollarë në vit. Konviktet janë në pikë të hallit, në gjendje të mjerueshme. Bibliotekat janë më keq. Ne i mbështesim 8 pikat e studeentëve pa asnjë diskutim.', tha Basha.
Kreu i opozitës, deklaroi gjithashtu se opozita është e gatshme të djegë në çdo moment mandatet.
“A jam i gatshëm për të djegur mandatet? Padyshim. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë sepse nuk është çështje e mandateve tona. Ne mund t’i djegim mandatet në çdo çast. Por rreziku është se paratë e drogës do të financojnë lajmin që opozita dogji mandatet dhe askush nuk do të merret me qeverinë dhe Ramën”, përfundoi Basha.
Kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi publikimin e fakteve se projekti për Unazën e Re është manipuluar për të favorizuar ndërtimin e pallateve shumëkatëshe buzë rrugës.
Lulzim Basha, tha gjithashtu se në ditët e ardhshme PD-ja do të publikojë dokumente që tregojnë me emër dhe mbiemër eksponentët e krimit dhe të drogës që kanë planifikuar të ndërtojnë pallate te segmenti i Unazës së re ku do të shemben dhjetra banesa të qytetarëve.