Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të PD-së në lidhje me kullën-pallat që do të ndërtohet tek stadiumi i ri që pritet të nisë punimet në Tiranë. E për të ilustruar reagimin e tij, kryeministri Edi Rama ka bërë publike edhe fotot e disa stadiumeve nëpër botë, disa prej të cilëve janë projekte për tu bërë, e disa të tjerë janë për futbollin amerikan. Por ka ardhur një reagim i menjëherëshëm nga Luzim Basha i cili tha: “Duhet mbajtur mend e fiksuar mirë se sot budallallëku i një Kryeministri kapërceu çdo vrapim me pengesa për të zënë vendin e parë në galerinë e tuhafëve të motos: Ç’më duhet mua se çfarë them unë! Sot Edi Rama shpalli se ai e paska çuar Kombëtaren në finalet e Europianit. Pa droje fare e bëri të vetën dhe këtë meritë, si të qe tender apo konçesion. Po të dëshpëruarit bëjnë deklarata të dëshpëruara. Pasi e ngjiti Shqipërinë në krye të listës europiane të drogës, me Tahirin, Shullazin e Habilajt, pasi instaloi korrupsionin në çdo zyrë, pasi e bëri vendin më të inkriminuar në planet, pasi futi skamje e varfëri në popull, e vetë me bandën e hajdutëve kapi majat e luksit, me gjithë këtë bilanc të zi që është drejpërdrejt puna e vepra e tij, rreket ta vërë emrin te e vetmja gjë e mirë që ka ndodhur, dhe thotë se ai e paska dërguar Shqipërinë në Franë 2016. Marifet i dalë boje për të larguar vëmëndjen nga plagët e mëdha ë shoqërisë”.