INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha ka një thirrje për të gjithë shqiptarët, ja çfarë thotë kreu i opozitës [FOTO]

Basha ka një thirrje për të gjithë shqiptarët, ja çfarë thotë kreu i opozitës [FOTO]

Publikuar më: 19:50 21-05-2018

Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu ka bërë sërish thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e së shtunës, më 26 maj për ‘mos ta lënë fatin e tyre në duart e krimit’.

Në një status në “Facebook”, Basha kujton 45-vjetorin e revoltës së Spaçit, ku sipas tij një grup shqiptarësh treguan se liria fitohet dhe mbahet vetëm me sakrificë. Por ai thotë se sot xhelatët e Spaçit dhe pasardhësit e tyre, qeverisin vendin bashkë me krimin dhe po ia vrasin pak nga pak çdo ditë lirinë dhe shpresën shqiptarëve.

45 vjet më parë, në burgun famëkeq të Spaçit, në kulmin e diktaturës komuniste, një grup shqiptarësh dhanë një provë madhështore të mbijetesës, qëndresës dhe shpresës. Atëherë kur retë e zezë të diktaturës kishte mbuluar Shqipërinë, e nuk kishte më shpresë e besim se një ditë do të kishte liri, burrat trima brenda burgut të Spaçit ngritën krye.

Me kurajë të paimagjinueshme, ata morën për dy ditë nën kontroll burgun, ata treguan se liria fitohet dhe mbahet vetëm me sakrificë.

45 vjet pas revoltës së Spaçit Shqipëria është në pikën më kritike të saj! Xhelatët e Spaçit dhe pasardhësit e tyre, qeverisin vendin bashkë me krimin dhe po ia vrasin pak nga pak çdo ditë lirinë dhe shpresën shqiptarëve.

Pasardhësit e krimit komunist në bashkëpunim ne krimin e organizuar dhunojnë lirinë e zgjedhjes, dhunojnë lirinë e pronës, vjedhin dhe shkatërrojnë çdo ditë shpresën që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në vendin e vet, dhe kështu po e izolojnë Shqipërinë duke na mbyllur derën e Perëndimit, dhe duke u kthyer në pengesën e vetme për Shqipërinë si gjithë Europa!

Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin, nëse do të lejojnë pasardhësit e xhelatëve të Spaçit të na sundojnë nën fasadën e demokracisë apo do të ngrihemi të gjithë bashkë për të çliruar vendin nga bashkëqeverisja me krimin!

Partia Demokratike është gati ta udhëheqë dhe ta fitojë këtë betejë bashkë me shqiptarët që nuk duan ta lënë të ardhmen e fëmijëve të tyre në duart e krimit!

Së bashku e udhëhoqëm dhe e fituam betejën për të larguar nga parlamenti dhe qeverisja vrasësit, trafikantët, përdhunuesit!

Së bashku ia dolëm të ndërgjegjësojmë SHBA dhe Bashkimin Europian se nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria u kthye në vendin kryesor të prodhimit dhe trafikut të drogës, se Ministri i tij i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës!

Tani shqiptarët dhe mbarë bota kanë parë se si Ministri aktual i Brendshëm me mbështetjen e Kryeministrit, mundësonte, mbronte dhe tani mbulon veprimtarinë kriminale të vëllait të tij, bos i trafikut të drogës në Vlorë.

Nuk ka një ditë më domethënëse se 45-vjetori i revoltës së Spaçit, për të ftuar çdo shqiptar që e do Shqipërinë të lirë nga diktatura e krimit, që e do drejtësinë e vërtetë ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, që do ta çlirojë shpresën dhe ëndrrën për Shqipërinë Europiane nga qeveria më anti-europiane, të bashkohemi të shtunën në protestën kombëtare të 26 Majit! Është koha të mos e lëmë më fatin tonë në duart e krimit! Nderim përjetë Heronjve Kryengritës të Revoltës së Spaçit!

Zoti bekoftë shpirtin e tyre dhe çdo shqiptar që ngrihet kundër së keqes! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Article Logic
Execution time: 0.0046219825744629