Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga çadra e protestës ka thënë se prej pesë ditësh po kërkon dialog politik për zgjidhjen e krizës, por kryeministri Edi Rama e ka refuzuar. Në një takim me krerët e partive aleate Basha ka thënë që përballë shantazheve dhe fyerjeve opozita ka zgjedhur të përgjigjet me qëndresë demokratike.
Megjithatë Basha u shpreh se “asnjëherë nuk është vonë” dhe përsëriti ftesën për dialog. Kreu i PD-së falenderoi partitë politike që kanë mbështetur kauzën e opozitës dhe shpreh i vendosur për arritjen e kauzës opozitare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Jemi përgjigjur ditë për ditë dhe do t’i përgjigjemi ditë për ditë me të vetmen monedhë që njohin shqiptarët europianë. Qëndresë.
Muzgu i republikës së vejtër po bie. Ne jemi sot këtu të gjithë bashkë. Kemi marrë një përbetim që kalon kufijtë e çdo beteje politike dhe është i madh sa vetë kufijtë e Shqipërisë tonë, moderne dhe europiane.
Ne nuk e kërkuam këtë betejë, por këtë betejë na e dhanë ata që menduan se një popull i tërë mund të shkelet me këmbë dhe në fund fare t’i mbyllet goja me zgjedhje fasadë, zgjedhje të drejtuara nga krimi.
Ne erdhëm në këtë betejë me një synim, me një vendim, që përmes një beteje paqësore jo t’i ndajmë shqiptarët por t’i bashkojmë. Dhe sot me zemrën plot i shoh këtu të djathtë e të majtë, të përbashkuar deri në fitoren që na pret.
Kemi këruar dialog. Tash 5 ditë presim që ky dialog të marrë formë. Tash 5 ditë dora e shtrirë për një dialog të ndershëm që ofron zgjidhje, refuzohet nga ai vetë. Por kurrë nuk është vonë, edhe sot nga ky shesh, ftesa ime është t’i japim fund kësaj krize politike me një dialog. Por zgjidhja nuk është përmes krimit dhe drogës por përmes një qeverie teknike që do të kryejë detyrat e ngarkuara nga populli.
Nga ky shesh i kemi thënë jo dhe do t’i themi jo konfliktit dhe përçarjes së shqiptarëve.
Askush nuk e ndal dot këtë lëvizje, sepse garant i kësaj lëvizje janë milionat e shqiptarëve të bashkuar për të marrë në dorë fatet e tyre.
Më lejoni të falenderoj qindra mijëra shqiptarë që u bënë pjesë e kësaj kauze të paprecedent të historisë shqiptare. Të falenderoj po kështu të gjithë faktorët politikë që kanë mbështetur dhe mbështesin këtë zgjidhje, si partitë e opozitës por edhe ato forca politike që nuk janë pjesë e opozitës. Më lejoni t’i ftoj ata dhe tju drejtohem me fjalët e shpirtit për mbështetjen politike që i danë kauzës tonë.