INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha në Kavajë: Ora e bashkimit pa qefmbetje

Basha në Kavajë: Ora e bashkimit pa qefmbetje

Publikuar më: 13:16 06-07-2017

Ka zgjedhur Kavajën për të nisur garën për kreun e partisë por edhe analizën e humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Lulzim Basha thotë se zgjedhjet i fituan ata që përdorën paratë e drogës dhe bandat kriminale për të marrë votën e qytetarëve, por tashmë sipas tij ka ardhur koha për të nxjerrë shkaqet por dhe përgjegjësitë e tij për këtë humbje.
Lulzim Basha:
“Është ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm? A qëndruam apo jo fuqishëm në kauzat që besonim, në kauzat e drejta të shqiptarëve; me dekriminalizimin, me luftën kundër drogës, me luftën për një drejtësi të pakapur e të panënshtruar politikisht dhe me luftën për zgjedhje të lira e të ndershme? Dhe nëse po, le të mos e konsiderojmë këtë fundin e një betejë, por njësoj si në vitin 1991, stacionin drejt betejës tjetër, betejës përfundimtare për të rrëzuar një herë e mirë këtë regjim. E për t’i rikthyer shqiptarëve shpresën në vend të frikës”.
E jo më kot ka zgjedhur qytetin e Kavajës, ku Lulzim Basha lëshoj mesazh bashkimi dhe jo përçarje.
Lulzim Basha:
“Për ne, në të gjithë vendin, njësoj si Kavaja, në nivele bashkish dhe nivele qendrash votimi, ky është mësimi. Aty ku demokratët u bashkuan siç u bashkuan të gjithë nën drejtimin e Isa Sakes, të gjithë pa asnjë mungesë, pa asnjë përjashtim, pa asnjë zemërthyerje, kudo ku kjo ndodhi, bandat dhe milionat e drogës dhe të korrupsionit nuk bënë fajde. Arritën ta ndikonin, por jo ta përmbysnin rezultatin. Dhe, ky është mësimi dhe thirrja ime sot, jo si kandidat, por si demokrat. Bashkohuni demokratë kudo ku jeni, lini mënjanë qefmbetjet. Nuk është ora për të parë se çfarë kemi marrë nga Partia Demokratike, por njësoj si në vitin 1991 është ora për të parë çfarë mund të japim për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë dhe demokracinë”.

Article Logic
Execution time: 0.0035171508789062