INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha nis turin e takimeve me demokratët, ‘Miliarda euro kanë përfunduar në xhepat e Ramës për teka e lluks'

Basha nis turin e takimeve me demokratët, ‘Miliarda euro kanë përfunduar në xhepat e Ramës për teka e lluks'

Publikuar më: 09:31 21-07-2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe pse nuk është vendosur një datë për protestën e radhës, ai ka nisur një tur takimesh me strukturat e PD në rrethe. Sot ai ishte në Lezhë nga ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për miliarda euro që kanë përfunduar në xhepat e tij për teka e lluks.

"Edi Rama është kryeministri më hajdut, më arrogant, dhe më mashtrues më historinë e Shqipërisë. Paratë tuaja, paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur. Nëse shqiptarët nuk kanë të hanë është sepse paratë e tyre i ka vjedhur Edi Rama. Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e Ramës dhe janë shpërdoruar për tekat e Ramës në lluks dhe fasada", theksoi kryedemokrati, duke e cilësuare më pas Ramës " artist i mashtrimit”.

Në këtë takim, Basha foli dhe për 30 qershorin, ku theksoi se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë.
“30 qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme", theksoi në takimin e Lezhës kreu i opozitës Lulzim Basha.
Në takimin me demokratët e Lezhës, kreu i opozitës identifikoi Edi Ramën si problemin më të madh për ekonominë, papunësinë dhe shkatërrimin e drejtësisë. “Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon”, u shpreh Basha.

Article Logic
Execution time: 0.003572940826416