Kryedemokrati Basha ka dalë në ditën e sotme në një konferencë për shtyp duke komentuar procesin e djeshëm elektoral, e cila sipas tij ishte një farsë totale.
Ndërsa mesazhet e tjera kreu i PD i kishte për ndryshimin politik, që sipas tij në ditën e djeshme e konfirmuan 85% e shqiptarëve, duke e cilësuar këtë si të vetmen vlerë të procesit zgjedhor kishte:
“Që nga mitingu i 16 shkurtit kemi ardhur duke u rritur në numër dhe duke u bërë më të vendosur për kauzën tonë të drejtë e legjitime. Që nga ajo ditë na janë bashkuar qindra mijëra qytetarë dyshues deri atëherë nëse rruga jonë ishte e duhura. U bashkuan jo për politikë por sepse e duan Shqipërinë, duan të ndërtojnë jetën dhe të rrisin fëmijët në këtë vend. 85% e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje. Gjithçka tjetër është një farsë e paligjshme antikushtetuese dhe provokim kriminal për shqiptarët që nuk ranë pre e tij. Këtë e di shumë mirë dhe Edi Rama”, tha Basha.
Në fjalën e tij Basha shtoi edhe se shqiptarët duan një ndryshim rrënjësor të sistemit, në të cilin krimi të mos ndikojë më mbi politikën. Nga presioni i qytetarëve për ndryshim kryedemokrati u shpreh se Ramës ‘I rrodhën djersë të ftohta’ në ditën e djeshme:
‘Kurrë me krimi të mos ulet në parlament e të zërë vend në qeverisje. Kurrë me punonjësit e administratës të mos poshëtrohen, duke u përdorur për të mbushur mitingjet partiake apo të kërcënohen me vendin e punës për votën. Kurrë më mos të kushtëzohet vendi i punës, buka e gojës, ndihma ekonomike apo pensioni nga vota. Dje dështoi plani i Edi Ramës për votime njëpartiake.Shqiptarët e refuzuan totalisht, atë dhe mercenarët e tij. Shqiptarët e sfiduan, e izoluan dhe e bënë t’i binin djersë të ftohta”-tha ai.