INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha për platformën e ringritjes së PD: Hapësira për kritikët, kemi nisur analizën

Basha për platformën e ringritjes së PD: Hapësira për kritikët, kemi nisur analizën

Publikuar më: 20:54 05-10-2017

Që prej 25 qershorit debati brenda PD ka qenë një nga temat kryesore të diskursit publik. Linja kritike e Lulzim Bashës të rizgjedhur në procesin e 22 korrikut, kanë vendosur të institucionalizojnë këtë lëvizje dhe t’i paraqesin kryetarit të PD-së një platformë me disa kërkesa. Momenti politik është interesant edhe për disa zhvillime sa i përket situatës së krimit dhe të rendit e sigurisë në vend.

Intervista për Sokoll Ballën në ”Top Story”

Vini në një moment kur është zyrtarizuar Lëvizja për Ringritjen e PD që ju kundërshton ju, linjën tuaj, mënyrën sesi jeni zgjedhur si kryetar. Ridvan Bode tha se Lulzim Basha tashmë duhet të japë dorëheqjen. A keni një koment për këtë institucionalizim të kësaj lëvizjeje brenda partisë tuaj?

Partia Demokratike ka normat dhe institucionet e saj. Për mua si kryetar i saj në raport me detyrat që kam para anëtarësisë dhe në raport me moralin dhe vlerat është e rëndësishme që zëri kritik të dëgjohet dhe të ketë hapësirë në veprimtarinë e PD. Në këtë kuptim, krijimi i kësaj hapësire është detyra kryesore. I kam dëgjuar dhe do t’i dëgjoj vazhdimisht kritikët. PD është futur në një proces analize dhe konsultimi nga e cila do të dalë me vendime sa i përket organizimit dhe ndryshimeve statutore, por ndërkohë PD ka një detyrë shumë të rëndësishme para gjithë shqiptarëve si opozita e vendit dhe kjo detyrë është përballja me keqqeverisjen dhe tregimi i një shtegur të ri për Shqipërinë që sot është në prag gremine. Pra çështja forcimit të PD-së për t’iu përgjigjur sa më mirë qytetarëve në këtë kohë kaq kritike për vendin janë shqetësimi im kryesor. Në këtë kuadër çdokush që ka mendime dhe propozime do të vazhdojë të ketë hapësirën për t’u dëgjuar dhe së bashku me anëtarësinë e PD të kontribuojë që këto ndryshime ta bëjnë PD më të fortë dhe më të gatshme për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të Shqipërisë.

Çfarë doni të thoni që do të ketë hapësira, pasi realiteti ka gjithmonë dy anë. E para, që në momentin që Berisha nuk është më kryetar i PD “mori fund periudha e drejtimit me autoritet” të PD. Që nga dita e parë që ju u zgjodhët në krye të PD në 2013, debatet brenda partisë kanë qenë të pranishme pothuajse çdo ditë. Ju nuk jeni shquar se i keni shuar, shtuar apo keni marrë masa që mund të jenë marrë në të shkuarën në PD. Por ama, ju keni deklaruar se nuk do të ketë fraksione përsa kohë ju do të jeni kryetar i PD. Atëherë, nga kjo platformë sa do të jeni të gatshmë të pranoni që të aplikohet?

Është gabim që të shikohet si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtarësh të PD.

Kështu e kanë paraqitur ata. Kanë hedhur…gati pothuajse për negociim, prandaj po ju pyes.

Unë gjykoj që është një gabim i madh për publikun dhe në veçanti për anëtarët e PD ta vendosim këtë si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtar të PD që kanë qëllimet e tyre, dëshirat e tyre për të kontribuar në forcimin e PD. Ky është një proces që është përfshirë e gjithë partia. Para 10 ditësh kryesia ka marrë një vendim unanim, që hap siparin e një procesi konsultimi me të gjithë anëtarët e PD. Vullneti im, por edhe këmbëngulja ime është dhe do të jetë gjithmonë që çdokush të gjejë hapësirën për t’u dëgjuar dhe konkuruar dhe për të garantuar konkurencën më të ndershme në forumet e PD. Kjo më karakterizon dhe në këto katër vite synimi im nuk ka qenë të shuaj, por të nxis debatin brenda PD. Si përfaqësues i një gjenerate shqiptarësh që u është dhënë mundësia të prekin kulturën dhe normat e perëndimit që në rini, që debati i argumentuar e shëndosh dhe e forcon bashkëpunimin mes njerëzve që ndajnë vlera dhe vizion për të nesërmen e vendit. PD është një grupim njerëzish që bashkohen në vlera, në kontribute dhe vizione sesi Shqipëria duhet të dalë nga kjo gjendje dhe të plotësojë dëshirat e qytetarëve që kanë probleme të jashtëzakonshme. Papunësia, emigracioni, mirëqënia e mbi të gjitha siguria. Qytetarët ndjehen të kërcënuar, të trembur, rrugët e qyteteve tona bëhen përditë skena të ngjarjeve makabre ku fëmijët e shqiptarëve po kërcënohen përditë. Misioni është t’u tregojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo situatë, që tejkalon çdo axhendë personale, ndaj PD i përvishet misionit për të dalë nga ky proces më e fortë pa përjashtuar askënd që me të vërtetë dëshiron të japë kontributin për një opozitë të fortë dhe alternativë të besueshme për qytetarët shqiptarë.

Ju përmendet disa gjëra, ku ka disa pika të përbashkëta me të ashtuquajturën platformë për ringritjen e PD. Edhe ata flasin për një proces 9 mujor konsultimi, debati. Flasin për garë, pra që ky grupim kërkon që të marrë pjesë në garë me një komision elektoral të brendshëm, me një komision garancish ku ata të kenë drejtimin dhe një pikë tjetër, dorëheqjen e kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Në këtë fushatë konsultimesh që ka nisur PD, që përkon me fushatën e zgjedhjeve të brendshme…

Është një fushatë konsultimi me anëtarësinë për të vendosur për hapat që do të hedhim edhe në raport me organizimin e brendshëm të PD dhe ndryshimet e statutit.

Mund të ketë një përputhje me këtë axhendën që ata e kanë hedhur për negociatë tek ju?

Unë që prej zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë” kam qenë në kontakt me anëtarësinë e PD dhe vazhdoj të jem në kontakt me të. Kjo është një çështje e cila sot diskutohet nga e gjitha baza. Cilat janë rrugët që duhet të ndjekim që PD të dalë më e fortë për t’u përballur me sfidat. Këtu çdokush pa asnjë përjashtim duhet dhe do të kenë hapësirën e garantuar për të dhënë idetë e tyre dhe për këdo që do të ketë dëshirën për të konkuruar.

Por ama jo si grupim i organizuar siç ata janë paraqitur?

Sesi paraqiten anëtarët e PD, u takon atyre. Anëtarët janë të organizuar në nivel territorial në bazë të seksioneve dhe degëve. Janë të organizuar sipas fushave të jetës që ndjekin. Pra anëtarët e PD e kanë një organizim në bazë të rregullave të PD dhe zbatimi i këtyre rregullave dhe ndryshimi për ta bërë vendimarrjen më demokratike, më transparente është një nga qëllimet kryesore të procesit që ne i hymë.

Po në rast se ju sugjerojnë se ndoshta në PD për t’u lënë vend të gjithëve dhe për të shmangur një çarje të re, është mirë që të lejohen fraksionet?

Është spekuluar shumë me çështjet e fraksioneve.

Ata si fraksion kanë dalë, sepse janë të organizuar tashmë.

Fraksionet janë risi e partive ideologjike për një grup njerëzish që nuk ndajnë pikëpamjet e partisë të qëndrojnë dhe të ruajnë pikëpamjet e tyre.

Pra ju thoni që ky grup nuk ndan mendime të ndryshme nga ju?

Unë nuk marr përsipër të komentoj asnjë bashkim anëtarësh të PD që mund të kenë një mendim për aksionin politik, një mendim për platformën e PD, që duhet të ketë rrjedhën e vet për t’u zyrtarizuar në parti, ose për t’u hedhur poshtë përmes rregullave që ka partia. Nuk ka dhe nuk mund të ketë fraksion kur vjen me propozime për ndryshimet statutore, apo që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen e Partisë Demokratike.

U duk sikur ky grupim u motivua shumë pas daljes së Sali Berishës që ju kritikoi direkt për mënyrën sesi bëtë listat, duke shmangur forumet, duke futur ndoshta njerëz për interes, duke kritikuar platformën tuaj elektorale dhe këshilltarët tuaj elektoral dhe duket sikur ata u motivuan pas kësaj dalje të ish-kryetarit?

Mua nuk më rezulton kështu. Ka një grup kritikësh ndaj meje dhe kritika kryesore e anëtarësisë ka qenë për kohën kur është bërë, para zgjedhje. Pra, nuk është diçka e re, por kanë qenë qëkur u shpallën listat për kandidatët për deputetë të PD-së. Por, unë i mbetem asaj që thashë; jam i hapur për të dëgjuar të gjitha kritikat konstruktive apo jo. Detyra ime si kryetar i PD është të tregoj gjerësinë maksimale që çdokush ta ndjejë veten të përfaqësues në debatin e nisur tashmë brenda anëtarësisë dhe është anëtarësia ajo që do të vendosë.

Në këtë studio Eduard Selami u distancua nga kjo lëvizje dhe tashmë u rreshtua pas jush, megjithëse hyn tek kritikët, në përpjekje për të ringritur PD dhe duke e quajtur legjitimitetin tuaj fakt të kryer, një gjë që e konteston grupi tjetër. Megjithatë, edhe zoti Selami edhe grupi i kritikëve që kërkojnë këtë garë, thonë se përse Basha nuk distancohet nga faktet që u treguan me zë dhe figurë që vota e 22 korrikut u manipulua? Pra i referohet rasteve që janë publikuar në mediat për mënyrën sesi është votuar më 22 korrik.

Në radhë të parë duhet të konstatohen faktet. Procesi i votimit për kryetarin e PD ka qenë procesi më masiv i një partie politike në Shqipëri. Edhe unë kam parë raste në Youtube, por nuk ka patur asnjë rast institucional që do të ngrihej dhe ndiqej nga komisioni i zgjedhjeve. Nuk ka patur asnjë rast të tillë. A do të thotë kjo që nuk ka pas asnjë shkelje? Jo dhe nëse ka pasur shkelje distancohem dhe i dënoj në mënyrën më të fuqishme. Ata që kanë pasur me të vërtetë këtë shqetësim, gjëja e parë që duhet të kishin bërë duhet t’i kishin dorëzuar tek institucionet e partisë dhe të mos i përdorin për të baltosur një proces që përfshiu afro 60 mijë demokratë.

Në daljen e tij publike, zoti Berisha dukej i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhte PD nëse kjo çarje nuk mbyllej shpejt. Mendoni që kjo lëvizje mund ta çojë PD drejt një çarje të re?

Absolutisht jo! Kushdo që ka interesin e PD në mendje e di këtë. Anëtarësia e PD është e zgjuar dhe di të ndajë shapin nga sheqeri dhe interesat publike nga ato personale. Aty ku ka propozime të vlefshme, që vërtetë shërbejnë për të bërë PD më të fortë jam i sigurtë që anëtarësia do të dijë t’i vlerësojë, t’i përqafojë dhe t’i mbështesë.

Por cili do të jetë mekanizmi? Këta ofrojnë mekanizmin e votës, pra thonë na testoni!

Sigurisht që përmes mekanizmit të votës. Në këtë aspekt, nëse një nga propozimet është që PD të demokratizojë akoma më tepër vendimarrjen, s’është asgjë tjetër vetëm sekondim dhe mbështetje i asaj që unë mbështes gjatë këtij procesi, pra që të decentralizojmë më shumë vendimarrjen dhe që këto vendime të përfshijnë sa më shumë anëtarë të PD. Nëse ka pika ku kemi propozime të njëjta dhe të përafërta kjo kontribuon në forcimin e vendimarrjes së partisë. Efektivisht tek një pjesë e tyre nuk ka ndodhur asgjë përveçse nuk janë deputetë. Kjo nuk duhet të shërbejë as për të ulur dhe shkëputur vendimarrjen e Partisë Demokratike. Procesi sapo ka nisur dhe ai përfshin gjithë anëtarësinë.

Megjithatë, zoti Berisha ju bëri një kritikë të fortë që besoj se qëndron, që e bëtë këtë pa respektuar institucionet. Pra morët një vendim personal. Mendoni që keni bërë gabim kur bëtë një listë të tillë?

Gjithçka ka ndodhur në një kontekst të veçantë dhe një afat kohor të kufizuar. U detyrova të marr një vendim personal dhe këtë nuk e kam fshehur. Ditën kur kam marrë këtë vendim kam thënë që kjo është hera e fundit kur kryetari i PD bën listën e deputetëve. Besoj që kjo që këtej e tutje do të jetë e drejta e anëtarësisë. Ka qenë një kthesë e fortë 90 gradë nga një protestë tek një marrëveshje politike që kaluam nga gjendja e protestës në fushatë. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë këtë. Absolutisht që janë përgjegjësitë e mia dhe përgjegjësitë e mia janë kryesore si kryetar i PD. Ajo që dua të them sot, është që në nivelin taktik ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe. Në nivelin politik nuk ka patur asnjë kompromis në kurriz të shqiptaëve.

Mendoni që do të ishte kjo lista nëse do të ishin pyetur forumet dhe mendoni që do të kishim të njëjtin rezultat nëse lista do të ishte ndryshe.

Nuk mendoj se ka ndonjë dobi që të futemi në skenarë hipotetikë. Rrjedha e ngjarjeve imponoi këtë skenar. Më vuri para përgjegjësisë për të marrë vendime të vështira. Unë nuk iu shmanga kësaj përgjegjësie dhe mora këtë vendim të vështirë, sikundër m’u desh të merrja edhe para edhe pas. Përmes procesit që sapo ka nisur me anëtarësinë, të garantohet jo thjeshtë një ndryshim statutor, por një normë e re e vendimarrjes ku roli i anëtarësisë të jetë përcaktues, jo thjeshtë konsultues.

A ka një përgjegjësi Lulzim Basha për humbjen më 25 qershor?

Përgjegjësia kryesore e humbjes në zgjedhje më takon mua dhe e kam bërë këtë proces analize sepse nuk mund t’i ikja edhe gjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar të partisë. Për pjesën brenda nesh…. Mos harroni se ne dolëm nga një “luftë”, ishim në zgjedhje në një “luftë” me krimin e organizuar, jo me kundërshtarët politikë, por me krimin e organizuar në aleancë me kundërshtarin politik. sa i përket faktorit të brendshëm, përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja.

Marrëveshja politike e 18 majit për Partinë Demokratike nuk ekziston më. Lulzim Basha e konfirmoi në Top Story këtë të enjte.

Sokol Balla: Keni thënë që marrëveshja e 18 majit ka vdekur, do të thotë kjo se kërkoni një marrëveshje të re?

Lulzim Basha: Se çfarë kam thënë unë nuk është një parrullë politike. Po të thoja që marrëveshja është ende gjallë do të ishte një gënjeshtër për të gjithë shqiptarët.

Sokol Balla: Pala tjetër pretendon që marrëveshja vazhdon.

Lulzim Basha: Ky është cirk! Thelbi i marrëveshjes ishte që të bëheshin të gjitha përpjekjet për të garantuar votën e shqiptarëve. Deri para një jave e thonte vetëm opozita, si sot një javë e ka thënë OSBE/ODIHR. Dimensioni i shit-blerjes së votës u konstatua për herë të parë si një dimension masiv dhe sistematik në të gjithë Shqipërinë. Në rekomandimet prioritare të OSBE, i pari është reforma zgjedhore dhe i dyti masa kundër shit-blerjes së votës, presionit të administratës dhe aktivitetit kriminal në fushatë. Pra janë tre çështje që dominojnë raportin. Nga raporti nxjerrim që vota e 25 qershorit u ble, u dhunua dhe u tjetërsua. /Top.Channel/

 

Article Logic
Execution time: 0.0039770603179932