Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetin social facebook, lidhur me teatrin, duke postuar një deklaratë të tij, si sot një vit më parë.
Sipas Bashës, afera Rama-Veliaj e Kullave 200 milionë Euro te Teatri Kombëtar nuk ka të bëjë fare me Teatrin por vetëm me ndërtimin e kullave dhe pastrimin e parave të drogës. Debati sipas tij për Teatrin është loja për të fshehur grabitjen 200 milionë euro.
Më poshtë deklarata e një viti më parë më 28 korrik 2018:
“Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë.Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës.
Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri”.