Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takimin përmbyllës në qytetin e Fierit në kuadër të fushatës elektorale.
Në fillim të fjalës së tij, kreu demokrat kujtoi premtimin e Edi Ramës për vendet e punës.
Basha tha se Rama nuk i mbajti premtimet, jo se nuk mundej, por sepse nuk i kishte prioritet.
“Kjo ishte forca dhe sekreti i fushatës tonë. Kjo është vula e fitores tonë. Nuk do të jetë fitorja e një grushti njerëzish, por e gjithë shqiptarëve. 4 vjet kanë kaluar qëkur Edi Rama premtoi 300 mijë vende pune. Fieri nuk pa asnjë vend të ri pune, pa varfëri të tejskajshme. Të ri dhe të reja që mbeten jashtë universiteteve. Kjo ndodhi sepse Rama jo vetëm nuk mbajti premtimet, Edi Rama nuk pati qëllim t’i mbante premtimet”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij në Fier përsëriti edhe njëherë thirrjen e tij për një përballje publike me Edi Ramën.
Basha tha se Rama ka frikë të përballet me të dhe me programin e tij, si dhe u kërkoi qytetarëve që ta ndëshkonin me votë më 25 qershor.
“Rama ka nisur turin e fundit të gënjeshtra. Edi Rama nuk guxon të përballet as me planin tim dhe as me mua sepse e di që është i humbur. Por do t’i harxhojë këto ditë të fundit, me shfaqjen e fundit. Mos ia falni, ndëshkojeni me votë, Edi Rama nuk beson te plani im ekonomik, Edi Rama beson te fasadat dhe palamt për të mbajtur pushtetin”, tha Basha.