INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha shpërthen ndaj PS-së dhe LSI-së nga Shkodra

Basha shpërthen ndaj PS-së dhe LSI-së nga Shkodra

Publikuar më: 19:31 01-06-2017

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Shkodra ka vijuar shpalosjen e programit të tij politik. Sipas Bashës, suksesi i një qeverie të mirë është rritja ekonomike. Me një ekonomi të fortë, shteti do të jetë më i fortë.

“Nuk premtoj shëndetësi falas, se kjo është një marrëzi, por premtoj se do të anuloj koncesionet korruptive. Me këto para do investoj në spitale, në trajnimin e mjekëve, në infrastrukturën spitalore.  Nuk premtoj cilësi zvicerane, por do të rris dukshëm cilësinë në shërbimin mjekësor. Do të bëj që fëmijët ta hanë drekën në shkollë deri në përfundim të gjimnazit. Ata do të rrinë në shkollë edhe pas orës 16:00, ku do të bëjnë aktivitete jashtëshkollore, do të bëjnë detyrat në shkollë dhe ata nuk do të enden rrugëve.

250 mijë lekë të vjetra do të jetë pensioni minimal për 65 mijë pensionistët. Paratë e ndihmës ekonomike që shteti ua jep me një dorë dhe ua merr me dorën tjetër, nuk do të jetë më kështu. Kjo është fitorja juaj dhe fitorja e çdo shkodrani. Kemi një parti tjetër që nuk e ka mendjen tek qeverisja e vendit, por tek tepsia. Matrapazët morën fund. S’ka më pazar me partitë e tepsisë. Flakjani në surrat teserën e partisë së LSI-së dhe kthehuni në shtëpitë tuaja”, tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike, ka folur edhe për sa i përket deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për demokratët dhe marrëveshjen me PD-në.

Basha ka deklaruar se marrëveshja e cila i tha fund ngërçit politik në vend është arritur falë vendosmërisë së qytetarëve.

“Sot anembanë Shqipërisë, zuzarët dhe matrapazët e dinë se marrëveshja u bë se e detyruat ju. T’i lërë broçkullat që demokratët qenkan të mirë dhe unë qenkam djalë i mirë se u zmbraps kur pa vendosmërinë tonë, vendosmërinë tonë për të mos u zhvilluar zgjedhje farsë. Ministrat janë garant të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, tha kryedemokrati i cili përmendi  edhe disa nga shkarkimet e bëra nga ministrat teknikë.

Gjithashtu kreu i opozitës shtoi se deri tani është bërë gjysma e punës dhe se gjysma tjetër bëhet me votën e bashkuar të shqiptarëve.

Article Logic
Execution time: 0.0017759799957275