INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha “sulmon” komisionerin Hahn: 13 maji, dita e themelimit të Republikës së Re

Basha “sulmon” komisionerin Hahn: 13 maji, dita e themelimit të Republikës së Re

Publikuar më: 18:44 11-05-2017

Protesta e 13 majit ishte kryefjala e kreut të PD-së Lulzim Basha në fjalën e mbajtur pasditen e sotme para protestuesve në çadër.

Basha tha se’ dita e shtunë është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve, dita e themelimit të Republikës së Re si realiteti i pakthyeshëm për çdo shqiptar e çdo shqiptare’.

Kreu i PD-së theksoi se kjo lëvizje do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Së shpejti mbushen plot 12 javë, 3 muaj qëndresë, 3 muaj bashkim, 3 muaj ngathnim i të mirës ndaj së keqes. Për fatin e mirë Shqipëria ka shpirtin tuaj, vullnetin tuaj, qëndresën tuaj garancinë e vetme për Shqipërinë evropiane. Dita e shtunë është dita kur ne kurorëzojmë një lëvizje të madh që nisi dhe vazhdon dhe do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo kauzë mposhti frikën, kjo kauzë i dha shpresë qindra mijëra shqiptarëve të dëshpëruar nga shteti”.

Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka bërë thirrje shqiptarëve të shkojnë në protestën e opozitës më 13 maj, të cilën e quan autostrada referencave që do t’i japë zë qëndresës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai inkurajoi qytetarët duke rrëfyer se do të jetë në protestë me familjen e tij, madje dhe me fëmijët.

“Anembanë botës duhet ta dinë mirë se rruga evropiane e Shqipërisë nuk do të kalojë dhe nuk mund të kalojë nga bojkoti dhe nga mospjesëmarrja por kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të kalojë nga asgjësimi i garës së vërtetë dhe nga rikthimi i monizmit, 27 vite pasi e shporrëm njëherë e mirë.

Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votime farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja evropiane e Shqipërisë do të kalojë nga austrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin qëndresës suaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri. Ndaj bashkohuni me mua, me familjen tim, me fëmijët e mi do të jemi këtu”, tha Basha.

Pas letrës së komisionerit evropian Johannes Hahn, i cili fajësonte opozitën për bojkotin e zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë ironi nga çadra në ditën e 83 të protestës duke thënë se qytetarët shqiptarë e njohin më mirë qeverinë e drogës dhe të krimit se sa ndonjë evropian.

“83 ditë përballë shëmtisë së fytyrave kriminale dhe banditëve në pushtet, përballë arrogancës së pushtetarëve të majmur me gjakun e djersën e shqiptarëve. Pa zgjedhje të lira s’do kishte kurrë Europë. Europa e vlerave është Europa e demokracisë së vërtetë dhe jo me zgjedhje moniste, të diktuara nga droga e krimi. Ju i dini më mirë se ndonjë evropian, ju shqiptarët europianë. Beteja jonë është beteja e drejtë për Shqipërinë, Europën, për vlerat elemtare pa të cilat nuk mund të ketë Europë e Shqipëri,” tha Basha.

Pak më herët komisioneri Hahn në letrën e tij shprehte keqardhje për bojkotin e zgjedhjeve nga ana e opozitës, por gjithsesi ai tha se demokracia duhet të ishte një proces që duhet të ecte përpara, sidomos për një vend si Shqipëria që ka aspirata për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Nuk do të ulim kokën para krimit e drogës, para narkoshtetit, por do bashkohemi të gjithë këtu më 13 maj në një protestë që nuk është vetëm e tillë, në një manifestim, në një bashkim që do ketë një emër e do hyjë në histori si referendumi për Republikën e Re. Sa i trembet Republika e Vjetër, krimi e droga, nuk ka forcë kriminale, t’i bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Nuk ka luftë më evropiane se lufta për zgjedhje të lira e të ndershme. Në 83 ditë, kjo ka qenë beteja më patriotike, paqësore e më evropiane që ka njohur Europa në këto vite. I tillë do jetë dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë. Kukumjaçkat e Republikës së Vjetër nuk na trembin,” tha Basha mes të tjerash.

Article Logic
Execution time: 0.0037801265716553