INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha takim me Kitaroviç: Të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh

Basha takim me Kitaroviç: Të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh

Publikuar më: 17:05 20-07-2018

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda-Grabar Kitaroviç. Në njoftimin e zyrës së shtypit Basha shprehu angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm kur si ministra të Jashtëm, së bashku me zonjën Kolinda-Grabar Kitaroviç, punuan me sukses për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatimin e mungesës së problematikave por duhet të investohemi në thellimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në rrafshin politik dhe ekonomik. Dy vendet tona duhet të jenë promotore dhe mbështetëse të fuqishme të avancimit të vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perendimor” tha Basha.
Lideri i opozitës e cilësoi një zhvillim shumë pozitiv marrjen e ftesës për anëtarësim nga Maqedonia dhe shprehu mbështetjen për përfundimin me sukses të marrëveshjes për çështjen e emrit dhe anëtarësimin e saj të plotë në një kohë sa më të shkurtër të mundshme në NATO si kontribut i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon. Gjatë takimit me Presidenten kroate, Basha vuri në dukje nevojën e Shqipërisë për të marrë nga Kroacia ndihmë për procesin e integrimit evropian, duke theksuar se sfidat kryesore për Shqiperinë janë shteti ligjor, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sistemi gjyqësor i pavarur dhe funksionues në të gjitha shkallët. Kreu i demokratëve i ka cilësuar të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh, të cilat sipas tij çojnë drejt hapjes së kutisë së Pandorës.

Article Logic
Execution time: 0.0036728382110596