Një ditë para protestës së opozitës, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se çadra e protestës nuk do të mbyllet deri sa të fitojë kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Çadra e lirisë nuk do të mbyllet nesër”. Është kjo deklarata e sapobërë e kreut të PD-së Lulzim Basha nga çadra e protestës pas asaj që tha mëngjesin e sotëm dhe që i bëri të gjithë të ngatërroheshin.
“12 javë protestë do të përmbyllen sot, pasi nesër nisim rrugëtimin për Republikën e Re dhe rrëzimin e Republikës së Vjetër”. Kjo deklaratë e bërë këtë mëngjes nga lideri demokrat Lulzim Basha ka ngjallur mjaft konfuzion në rradhët e protestuesve demokratë duke lënë të kuptohet se nesër mbyllet çadra përpara Kryeministrisë por Basha ka dalë sërish këtë pasdite për ta sqaruar njëherë e mirë fatin e çadrës.
“Më lejoni t’ju sqaroj se e kanë me merak kundërshtarët tanë. Çadra nuk do të mbyllet deri në fitoren totale pa kompromis të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershmë që do të mbahen në Shqipëri”, tha prerë kryedemokrati.