INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha vazhdon thirrjen: Protesta e nisur nga opozita  nuk është një lojë, por një luftë nga e cila do kthehemi vetëm me fitore

Basha vazhdon thirrjen: Protesta e nisur nga opozita nuk është një lojë, por një luftë nga e cila do kthehemi vetëm me fitore

Publikuar më: 12:00 25-02-2017

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vazhdon t’i qëdnrojë deri në fund deklaratës së tij e cila bëri shumë zhurmë në media. Ai tha se protesta e nisur nga opozita “nuk është një lojë por një luftë nga e cila do kthehemi vetëm me fitore”. Basha tha se konsensusi dhe mbështetja për protestën sa vjen e rritet dhe ju bëri thirrje qytetarëve të mos kthejnë faqen tjetër, por nëse i qëllojnë me pëllëmbë tua kthejnë me grusht.

Ai deklaroi se nuk do të ketë pazare në kurriz të shqiptarëve.

“Konsensusi vjen e rritet nga ora në orë. Qytetarë të thjeshtë, të harruar e të goditur, intelektualë po i bashkohen me thirrjet e tyre publike, misionit të popullit të lirë. Misioni ynë nis me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por nuk përfundon aty. Misioni i ri është të varrosim republikën e vjetër dhe të themelojmë republikën e re. Nuk do të lejojmë pazare në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Ju e dini që partitë e mëdha i kanë mbyllur kauzat me pazare të vogla. Jam këtu për t’ju premtuar se kjo nuk do të ndodhë më. Interesat e qytetarëve janë përmbi çdo interes”, theksoi Basha.

Basha kërkoi largimin e Ramës dhe një qeveri të vullnetit të mirë. Ai tha se zgjedhje me këtë kryeministër nuk ka për të patur.

“Le t’iu kujtojmë këtë mëngjes të tetë të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohu dhe hapi rrugë një qeverie të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme! Ne nuk kthehemi në parlamentin e krimit. Atje ku janë ulur kriminelët e kanë vendin ata që i sollën aty. Këtu është parlamenti nga ku po lind republika e re.

Nuk ka dhe nuk ka për të patur zgjedhje fasadë në këtë vend. PD dhe opozita e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qeveritar. Kush nuk e ka dëgjuar le ta dëgjojë dhe t’i vërë gishtin kokës. Zgjedhje me këtë qeveri dhe këtë kryeministër nuk ka për të patur kurrë më.  Kjo nuk është lojë dhe unë nuk ju thirra për lojë. Kjo është një luftë nga e cila do të kthehemi vetëm me fitore.  Ju kam pyetur a jeni gati të luftojmë së bashku…

Kjo është një luftë pa kthim. Nga ana tjetër është një grusht njerëzish, një grusht derrash oligarkë që i vjedhin dhe ju vrasin ditë për ditë.

Ata kanë vënë një bast të madh, basti i tyre vlen miliarda. Po jua thotë bota. Miliardat e pasurive të shqiptarëve. Ky është interesi i tyre”, tha Basha.

Article Logic
Execution time: 0.0037360191345215