Nisma e Bashkisë së Tiranës për pastrimin e qytetit një ditë para festës së verës është mbështetur nga qinda qytetarë. Ishte vetë kreu i Bashkisë, Erjon Veliaj, që doli i pari për të pastruar. Ai nga rruga “Dervish Luzha”, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen nismës për pastrimin e Tiranës, në mënyrë që Dita e Verës, ta gjejë atë më të pastër, por kërkoi që të gjithë të kujdesen çdo ditë për një qytet të pastër.
Ja fjala e Veliaj:
“Më vjen mirë që një traditë, që e filluam një vit më parë, e vazhdojmë edhe këtë vit. Nesër është një ditë feste, “Dita e Verës” por si në çdo ditë feste, si në çdo datë të shënuar është shumë e rëndësishme që shtëpinë të na e gjejë të pastër. Ashtu si gjithsecili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Tirana e madhe duhet të funksionojë si një familje nikoqire, që pastron shtëpinë me themeli përpara se të fillojnë festimet dhe para se të hyjmë në një stinë të re. Unë e di që detyrë funksionale e Bashkisë është pastrimi, megjithatë aq e ndotur sa është Tirana duhet të japin një dorë të gjithë, pavarësisht se institucionet tona bëjnë maksimumin.
Nëse e doni mjedisin, natyrën, pastërtinë ejani në pastrim. Ta duash mjedisin vetëm me llafe dhe protesta nuk mjafton.”
Sipas Bashkisë së Tiranës, Drejtoria e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në bashkëpunim të ngushtë me administrator të Njësive dhe ndërlidhësit kanë përcaktuar 15 njësitë e evidentuara me hapësira publike urbane mjaft të ndotura, ku dhe u përqendrua ky aksion. Mbi bazën e këtij bashkëpunimi është hartuar dhe plani i organizimit u përcaktuan dhe 23 zonat e përzgjedhura nga propozimet që solli çdo njësi për të përqendruar punën gjatë ditës së sotme.
Veliaj dha e një lajm të mirë për kryeqytetin dhe që ka të bëj me ndërtimin landfilli të ri dhe menaxhimi të ri mbetjesh në Sharrë, i cili do të zgjidhë edhe një krizë që ka mbetur pezull.