Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion masiv në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugën e Rinasit për pastrimin e mbeturinave edhe pse në kushte të vështira prej temperaturave të larta.
Duke qenë se këto dy akse rrugore janë portat hyrëse për në kryeqytet, fatkeqësisht qeset plastike, gomat dhe mbetjet inerte ishin pamja e cila i shoqëronte vizitorët si dhe turistët e huaj që përdornin Aeroportin e Rinasit apo Portin e Durrësit.
Qindra punonjës të ndërmarrjeve të pastrimit si dhe mjete pastrimi që në orët e mëngjesit kanë filluar punën përgjatë këtyre dy segmenteve. Përmirësimi i infrastrukturës dhe transformimi që ka pësuar në tërësi Tirana ka bërë që vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin të rritet 2.4 herë.