INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës: Arrihet marrëveshja me artistët për çështjen e teatrit

Bashkia e Tiranës: Arrihet marrëveshja me artistët për çështjen e teatrit

Publikuar më: 11:19 27-06-2018

Pas shumë debatesh midis bashkisë së Tiranës dhe artistëve arrihet marrëveshja për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

Një ditë më parë në një bisedë telefonike për emisionin e 'Sokol Balla Live', Erion Veliaj e konfirmoi se ishin pranë finalizimit të negociatave ndërsa ditën e sotme japin dhe lajmin e ri se marrëveshja është arritur.

Pas takimit të Erion Veliaj me komunitetin e artistëve të përfaqësuar nga regjisori Altin Basha, aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi, u mundësua dakordësimi për të ndërtuar një godinë të re moderne të Teatrit Kombëtar, në tokën ku ndodhet sot.

Erion Veliaj ka theksuar se Teatri Kombëtar nuk do preket dhe se teatri i ri do ndërtohet jashtë truallit të atij aktual.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shtoi Veliaj.

Në emër të komunitetit të artistëve, regjisori Altin Basha theksoi se bisedimet do të vijojnë edhe më tej për të finalizuar një marrëveshje të plotë. “Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”, tha Altin Basha.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj tha se pjesë e këtij dakordësimi është edhe përcaktimi që në grupin e punës që do të negociojë për projektin dhe ndërtimin e teatrit të ri, të ketë edhe një përfaqësi të artistëve. “Kemi sanksionuar në këtë ligj, në dallim nga të gjitha institucionet e tjera që përfaqësohen vetëm me një anëtar, ne do të kemi dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve. Duke i pasur të përfaqësuar besoj se ky projekt fillestar u bë më i mirë falë pranisë edhe kritikave të tyre, besoj që edhe produkti final me këto dy vende që presim të na i propozojë komuniteti artistik, që nuk janë vende spaletash as vende luksi, është një punë rigoroze e një shqyrtim dokumentacioni dhe një negociatë e fortë që do të duhet të bëjmë si me arkitektët, ashtu edhe me investitorët, që të arrijmë një produkt po aq dinjitoz sa ky produkt fillestar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se ky projektligji i paraqitur është vetëm fillimi i diskutimeve teknike që do të vazhdojnë për të përmirësuar draftin deri në finalizimin e gjithë këtij diskutimi me një teatër të ri. “Sigurisht është shumë e rëndësishme të kujtojmë se ky është vetëm hapi i parë. Do të vazhdojë një negociatë dhe do të kemi edhe debate të tjera se si ky proces mund të bëhet akoma edhe më i mirë. Ndaj, dua sot të përshëndes këtë hap të parë, të falënderoj miqtë e mi që edhe mua më emancipuan, edhe më mësuan, se si mundet t’i bëjmë ca gjëra akoma edhe më të mira, se i kishim menduar në fillim. Besoj sot pasi janë plotësuar këto kërkesa kemi arritur në një produkt ku ndoshta jo 100 %, por shumica, i sheh aspiratat e veta për art, për kulturë edhe për një teatër dinjitoz në Tiranë të plotësuara, si hapja e një negociate. Ky nuk është një ligj që e finalizon, ky është vetëm një ligj që e fillon këtë bisedë në mënyrë zyrtare”, theksoi kryetari i bashkisë.

Article Logic
Execution time: 0.002345085144043