INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës merr çmim për transparencën me qytetarët, vlerësim maksimal

Bashkia e Tiranës merr çmim për transparencën me qytetarët, vlerësim maksimal

Publikuar më: 13:15 02-10-2017

Tirana u vlerësua sot si një nga bashkitë më transparente me qytetarët, duke shënuar treguesit më të lartë në respektimin e së drejtës për informim. Në ceremoninë e prezantimit të gjetjeve të Monitorimit 2017, organizuar nga INFOCIP dhe mbështetur nga “Olof Palme Center” dhe Qeveria Suedeze, kryebashkiaku Erion Veliaj mori çmimin si institucioni më transparent ndaj qytetarëve.

Ai deklaroi se krahasuar me dy vite më parë, situata në Bashkinë e Tiranës ka ndryshuar pozitivisht, duke siguruar transparencë dhe zgjidhje për qytetarët. “Kur sapo kisha ardhur në krye të Bashkisë së Tiranës morëm notën 4 për vlerësimin sepse sigurisht, ishte viti ynë i parë, faqja e internetit s’punonte, e jo më të kthehej përgjigje apo të mbarohej ndonjë punë. Asokohe nuk e kishim hapur ende një portal Open Data, që është përtej këtyre 5 karakteristikave që janë vlerësuar, apo një aplikacion si “Tirana Ime”, i cili e ka çuar në një nivel krejt tjetër mënyrën e komunikimit dhe zgjidhjes së problemit. Mund ta kishim harxhuar gjithë këtë energji duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit, ose siç bëmë, që e shpenzuam këtë energji ku bashkia më skandaloze nga nota 4, mori notën 9.9”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar punën e kryer nga stafi i Bashkisë së Tiranës në shërbim të qytetarëve, Veliaj theksoi se vetëm në 6-mujorin e parë, ka pasur 55 mijë kontakte të drejtpërdrejta. “Kemi disa kategori, duke filluar nga faqja e internetit, te regjistri i pyetje-përgjigjeve, Koordinatori për të Drejtën e Informimit, te vendimet e Këshillit Bashkiak, të cilat janë instrumente për të marrë disa vendime që qyteti të ecë përpara me punë. Vendimet merren dhe publikimi i tyre është një nga kriteret e programit të transparencës. Vetëm për gjysmën e parë të vitit 2017 në sportelet e Bashkisë së Tiranës u është shërbyer 55 mijë vetëve. Imagjinoni punën heroike që duhet të bëjë dikush që punon në sportelin e Bashkisë së Tiranës, që të ketë durim, që të ketë buzëqeshje, që të ofrojë shpresë dhe optimizëm, por edhe që të zgjidhë punë”, tha ai, duke shtuar se vetëm në numrin falas 0800 0888, të vendosur nga Bashkia e Tiranës, për këtë 6 mujor ka pasur 4700 kërkesa, ndërsa nga posta 1663 dhe uebi 50 mijë vizitorë unikë në javë.

Veliaj u shpreh se një standard i ri është vendosur edhe përmes aplikacionit “Tirana Ime”, ku qytetarët mund të raportojnë për çdo problematikë. “Në një vit kemi 11 mijë raportime dhe zgjidhje të problematikave vetëm nga aplikacioni “Tirana Ime”, që tani ka shtuar edhe opsione si pagesa e parkingut. Vetëm në gjysmën e parë të 2017 ka pasur mbi 5 mijë kërkesa. Do ishim shumë të gatshëm, që platformën që tashmë një bashki e ka bërë dhe e ka testuar, të mund të përdoret falas edhe nga gjitha bashkitë e tjera”, u shpreh Veliaj.

Tirana është qyteti i parë në Shqipëri me një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia, në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve, por edhe menaxhimit më të mirë të kohës dhe parave të taksapaguesve. Kryetari Veliaj vlerësoi se portali “Opendata.tirana.al”, u ofron qytetarëve të dhëna të ndryshme për punët, investimet dhe çdo shërbim që kryhet në qytet. “Unë besoj që me PNUD-in po bëjmë realisht një revolucion, me portalin tonë Open-data.tirana.al. Sot jemi në një situatë ku Kryetari i Bashkisë apo kushdo tjetër mund të dijë ekzaktësisht sa fëmijë kanë munguar në çerdhe një muaj më përpara, sa pllaka kemi shtruar, sa metra asfalt, sa pemë janë mbjellë, sa kontrata ujësjellësi janë lidhur, si janë shpenzuar paratë për të kuptuar fare mirë që asnjë prej nesh nuk ka një instrument që pret para në zyrë. Në fakt, janë para të taksa-paguesve që meritojnë raportim si janë mbledhur dhe pastaj sigurisht si janë shpenzuar”, theksoi kreu i Bashkisë.

Bashkia e Tiranës është renditur në krye për Programin e Transparencës me 29 nga 30 pikë të mundshme. Nga vlerësimi i ndërmarrë nga INFOCIP në shkallë kombëtare, rezulton se vetëm 24 bashki nga 61 gjithsej kanë të afishuar në faqen zyrtare të internetit regjistrin e pyetje përgjigjeve, ku Bashkia Tiranë e mban dhe e përditëson këtë regjistër online, ndërkohë që vendimet janë të publikuara në një platformë online në faqen e saj zyrtare dhe konsistenca e kontrolli sigurohet përmes VENDIME.AL.

Article Logic
Execution time: 0.003978967666626