INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës në alert: Kujdes, mos kaloni pranë lumenjve dhe përrenjve!

Bashkia e Tiranës në alert: Kujdes, mos kaloni pranë lumenjve dhe përrenjve!

Publikuar më: 11:31 08-11-2016

Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve, që të qarkullojnë sa më pak gjatë orëve në vijim, si dhe të shmangin frekuentimin e brigjeve të lumenjve në zonat periferike, që paraqesin rrezikshmëri.
Bashkia e Tiranës ka bërë dhe një raport në lidhje me rrugët më problematike me qëllim orjentimin e qytetarëve.
Sipas Bashkisë situata më e rënduar është në zonat rurale, në Njësitë Administrative Zall Bastar dhe Zall Herr, me dëmtimin e disa urave, për shkak të prurjes së jashtëzakonshme të ujit nga përrenjtë dhe lumenjtë. Gjithashtu, nga 200 shkollat e Tiranës ka pasur problematika vetëm në 2 shkolla, ku është ndërhyrë menjëherë për përmirësimin e situatës.
Problematikë e shtuar shfaqet edhe në Njësinë Administrative 8, në zonën e Bregut të Lumit, i cili ka dalë nga shtrati. Bashkia e Tiranës po monitoron situatën, për të ndërhyrë edhe me evakuimin e banorëve aty nëse do të jetë e nevojshme.

Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët sa të jetë e mundur të shmangin qarkullimin në disa zona:
- Ura e Shkozës, Njësia 1
- Zona e Selitës
- Zona e rr. Misto Mame
- Rr. Don Bosko
- Zona e Bregut të Lumit


Ndërsa mbi 1800 punonjës nga ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit janë në terren. Po kështu dhe Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune në terren, në shërbim të qytetarëve.
Për raste emergjencash, qytetarët të kontaktoni në numrin e emergjencave 112 ose me Administratorin e Njësisë Administrative.

Article Logic
Execution time: 0.003633975982666