INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës në Dajt

Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës në Dajt

Publikuar më: 11:25 03-09-2017

Një nga zonat më të degraduara në periferi të kryeqytetit pranë zonës së Dajtit, shumë shpejt do të shndërrohet në një hapësirë model për qytetarët që do të rrisë vlerën e pronës. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës, që kufizohet nga rruga “Muhamed Deliu” dhe ajo e Teleferikut.

Teksa inspektoi fillimin e punimeve, kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, i cili jo vetëm do të transformojë zonën, por njëkohësisht do të ndikojë pozitivisht tek bizneset dhe në rritjen e punësimit. “Synimi ynë është që të mbajmë fjalën që u dhamë qytetarëve vetëm para pak javësh kur fituam në zgjedhjet e përgjithshme, se do të riktheheshim menjëherë në zonë për të bërë një investim për të moshuarit dhe fëmijët, të cilët duan më shumë hapësira mes pallateve, për të kthyer një nga zonat më të degraduara të Tiranës në atë që shumë shpejt do të quhet si pedonalja e Gjerozës. Kur ta hapim, shumë prej kateve të para dhe të dyta që sot nuk kanë asnjë funksion, do të rikthehen në shërbim të plotë dhe besoj që jo vetëm do t’u rritet vlera shtëpive, por do të punësohen njerëz edhe në bizneset përreth”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e banorëve të zonës për shqetësimet që mund të vijnë gjatë periudhës së punimeve, ndërsa siguroi për përfundimin e punimeve në një kohë sa më të shkurtër. Veliaj deklaroi se në dy vitet e ardhshme të mandatit të tij, ish-komunat do të kenë një vëmendje të veçantë nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Jam gjithmonë i lumtur kur dëshmojmë se si punët po ecin në Tiranë dhe jam posaçërisht i kënaqur sepse gjatë gjithë verës kemi hapur disa kantiere, duke filluar nga fshati Qeha, në Pëllumbas, në Krrabë, në Bërzhitë, në Zall-Herr. Synimi që kemi për gjysmën e dytë të mandatit është që ta vëmë fokusin më të madh në qendrat e ish-komunave, në qendrat e fshatrave. Kur kemi infrastrukturë të mirë, Tirana është vetëm 2 hapa larg”, deklaroi Veliaj, duke shtuar se përmirësimi i infrastrukturës do të jetë një arsye më shumë që banorët e këtyre zonave të mos braktisin fshatin.

Duke u ndalur në investimet e realizuara në zonat në periferi të kryeqytetit, kreu i Bashkisë vlerësoi dhe ndryshimet ligjore në ligjin “Për gjendjen civile”, që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe të investimeve për qytetarët.

“Me ligjin e ri çdo qytetar është regjistruar në gjendje civile aty ku banon. Kjo do të thotë që anomalitë ku njerëzit banonin në komunën Dajt, por shërbimet i merrnin në Tiranë, kanë marrë fund. Sot qytetarët janë regjistruar konform ligjit, aty ku kanë edhe adresën e banimit. Do të thotë që tani u përgjigjemi më shumë qytetarëve se sa kemi pasur në mënyrë fiktive në letrat e komunës Dajt apo të komunave të tjera që janë në kufi me Tiranën dhe që në thelb ofrojnë shërbime për më shumë banorë sesa kanë pasur në inventarin e tyre të gjendjes civile. Kjo do të thotë që me këtë rregullim, me administratorët e pallateve duhet të vijnë edhe investimet e bashkisë”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia falënderoi kryebashkiakun Veliaj për kujdesin e treguar dhe theksoi se gjithnjë e më shumë po zbuten diferencat midis qëndrës dhe zonave në periferi të kryeqytetit. “Ecuria e punëve të bashkisë nuk ka të sosur, vazhdon nga Bërzhita, Petrela, Zall Bastar, Zall Herr e përditë e më shumë. Si deputet i zonës gjej rastin ta falenderoj edhe një herë të gjithë stafin e bashkisë dhe personalisht kryetarin e saj Erionin, i cili po i bën realitet të gjitha ato që kemi premtuar. Tashmë nuk jemi as në kohë fushate, as në kohë premtimesh, por jemi vetëm në kohë realizimesh. Po zvogëloni përditë e më shumë ndryshimin midis qëndrës kryesore të Tiranës dhe zonave të ashtuquajtura periferike”, u shpreh deputeti Qefalia.
Ndërtimi i rrugës pedonale mbi Përroin e Gjerozës, që shtrihet në një zonë me ndërtime të reja, parashikon dhe krijimin e hapësirave çlodhëse, me lulishte të bollshme si dhe me module të ndryshme lojërash për fëmijët.

Article Logic
Execution time: 0.0036880970001221