INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës nis rikualifikimin urban dhe ndërtimin e sheshit rekreativ në “Don Bosko”

Bashkia e Tiranës nis rikualifikimin urban dhe ndërtimin e sheshit rekreativ në “Don Bosko”

Publikuar më: 13:34 13-07-2017

Një nga zonat më problematike të kryeqytetit në “Don Bosko” po transformohet tërësisht në një hapësirë të denjë për të gjitha grupmoshat. Bashkia e Tiranës nisi sot punimet për rikualifikimin urban të bllokut të banimit në rrugën “Foto Janku”, si dhe të ndërtimit të këndit të 19 të lojërave, ku përveç rikualifikimit estetik të zonës, do të bëhet edhe gjelbërimi e ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se rikualifikimi urban i kësaj zone është një premtim i mbajtur dhe se pavarësisht stinës së verës, bashkia është në punë. “Më vjen mirë që po mbajmë një premtim që kemi dhënë në fushatë për të rikuperuar sa më shumë hapësira që më përpara ishin zënë me garazhe, parkingje, lokale, duke ia rikthyer komunitetit në një hapësirë të rivlerësuar dhe të rikualifikuar. Këtu kemi filluar këndin e 19-të të lodrave, si një mënyrë që edhe kjo lagje pranë “Don Boskos”, e cila është tejet e populluar me familje të reja sidomos pas viteve ‘90, të ketë një hapësirë shumë pranë banesës ku fëmijët të kalojnë kohën e lirë”, tha Veliaj. Pjesa qëndrore e sheshit do të kthehet në një hapësirë kushtuar fëmijëve, ndërsa pjesët anësore në një hapësirë të dedikuar si parking rezidencial vetëm për banorët e zonës të cilët do të pajisen edhe me kartat e rezidentit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përfundojnë procesin e zgjedhjes së administratorëve në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës. “Duke zgjedhur administratorin mund të vazhdojmë edhe me investime të tjera, mund të jetë fasada, mund të jetë lyerja, mund të jetë veshja me kapot, mund të jenë panelet diellore. Ne kemi pasur këtë muaj të parë 50 aplikime, nga e gjithë Tirana, nga administratorët e pallateve, dhe skema po funksionon”, tha ai.

Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në lirimin e hapësirave publike të uzurpuara, ndërsa apeloi për një kujdes më të madh në mirëmbajtjen e investimeve. “U kërkoj banorëve që t’i mirëmbajmë. Është shumë e rëndësishme që të mos e lëmë një vend pune me kokën mbrapa se do prishet, se do vandalizohet. U kërkoj gjithashtu banorëve që të bashkëpunojnë kur vjen puna për t’u tërhequr në gardhet e tyre fillestare”, u shpreh ai.

Duke u ndalur specifikisht në investimet që prekin zonën e “Don Boskos”, kryebashkiaku Veliaj garantoi se në këtë arterie të re të kryeqytetit do të realizohen një sërë investimesh të rëndësishme që do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e këtij komuniteti. “Do të vazhdojmë me investimet e tjera në të gjithë gjatësinë e rrugës “Don Bosko”. Është një arterie e cila filloi deri diku informale në vitet ’90, sot është bërë një nga arteriet me më shumë zhvillim rezidencial në Tiranë. Kemi punuar me kolektorët e ujërave të zeza dhe të shiut, kemi punuar me rrjetin e ujësjellësit, po bëjmë disa investime në të dy anët e rrugës si në njësinë 9, si në njësinë 11 dhe bashkë me deputeten kemi identifikuar disa sheshe dhe disa hapësira të tjera si te pastiçeria dhe në disa zona të tjera për t’i rikthyer në sheshe në funksion të fëmijëve, të të moshuarve dhe pastaj të të gjithë komunitetit”, deklaroi Veliaj, ndërsa siguroi se çdo lagje e Tiranës do të ketë një hapësirë rekreacioni dhe kënd lojërash.

“Plani ynë është që në 1 vit të bëjmë edhe 20 kënde lodrash të tjera. Shpresoj që po të vazhdojmë me këtë ritëm nuk do kemi lagje në Tiranë pa pasur një hapësirë dhe një kënd lodrash”, deklaroi ai.

Ndërkohë, gjatë kësaj vere fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë dhe përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për vitin e ri shkollor. “Do hapim disa çerdhe dhe kopshte të reja si dhe do të rehabilitojmë një pjesë të madhe të shkollave. Në fund të verës do të hapim edhe shkollat e reja, shkollën ‘Ardian Klosi’ tek Bregu i Lumit, shkollën ‘Hoxha Tahsin’ pranë Pazarit të Ri dhe shkollën ‘Betim Muço’ në Kombinat. Gjithashtu, do të hedhim themelet e shkollës “Kosova”, një nga lajmet e shumëpritura për të gjithë komunitetin e njësisë Nr. 2”, përfundoi Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0033631324768066