INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës organizon Festivalin Ndërkombëtar të Balonave në Parkun e Liqenit

Bashkia e Tiranës organizon Festivalin Ndërkombëtar të Balonave në Parkun e Liqenit

Publikuar më: 11:33 02-09-2018

Parku i Liqenit Artificial është kthyer në hapësirën më të pëlqyer për qytetarët e Tiranës dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme social-kulturore. Për dy ditë me radhë, balonat shumëngjyrëshe të përmasave dhe formave të ndryshme, mbushën qiellin në Festivalin Ndërkombëtar të Balonave, që rikthen pas shumë vitesh një traditë të bukur të kryeqytetit.

“Kemi rikthyer festën e balonave në Tiranë, që do të zhvillohet çdo vit te Liqeni. Do të jetë një traditë, siç ishte për ne kur ishim fëmijë, ashtu edhe për fëmijët sot. Është një fillim fantastik për një traditë, që besoj se do të shënojë kujtesën e atyre që do të kalojnë fëmijërinë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se Bashkia e Tiranës ka çliruar hapësirat e uzurpuara nga ndërtimet pa leje, duke ua kthyer parkun qytetarëve. Ai shtoi se pavarësisht vështirësive, tashmë edhe kjo zonë e qytetit ka infrastrukturën e nevojshme, si pistën e re të vrapit, korsitë e biçikletave etj. “Po gjallërojmë një pjesë të liqenit, të cilën shumë njerëz as nuk e dinin që ekzistonte. Ajo ishte zaptuar, kishte ndërtime pa leje, ku një palë thoshte “tokë e zënë”, kurse pala tjetër: “Këtu do të bëj pallatin tim”. Teksa po vija këtu, e po shihja të gjithë ata që po punojnë për pistën e re të vrapit, për pistën e biçikletave, fakti që makinat kanë dalë jashtë liqenit dhe u është bërë një rrugë alternative, fakti që shumë prej pemëve kanë mbirë dhe po rikthehet një lloj pylli në atë që më parë ishte një tokë e djerrë, është një lajm i mrekullueshëm për Tiranën. Por, e gjitha kjo s’ka asnjë dobi nëse nuk e shfrytëzojmë dhe nëse nuk japim jetë”, tha Veliaj.

Ai falenderoi të gjithë ata që kontribuan për shndërrimin e kësaj hapësire të Parkut të Liqenit, duke ua kthyer qytetarëve të Tiranës me aktivitete të shumta.

Teksa dha lajmin e mirë se shkolla 9-vjeçare “Kosova” është gati të mirëpresë nxënësit në 17 shtator, Veliaj nënvizoi se plani për Tiranën në vitin e ardhshëm është që krahas përmirësimit të infrastrukturës së çerdheve, kopshteve dhe shkollave, vëmendja do t’i kushtohet edhe hapësirave çlodhëse. “E di që është shumë e rëndësishme të bëjmë çerdhe, kopshte, shkolla të reja. Në 17 shtator hapim një shkollë ikonë të Tiranës, shkollën “Kosova”, e cila do të ulë mbingarkesën që kanë pasur shkollat e Njësisë 2 dhe qendrës së Tiranës, si “Osman Myderizi”, “Mihal Grameno”, shkolla e Saukut, Liceu, duke krijuar kushte komode, por edhe duke ngritur standardin e asaj çka do jetë një shkollë e re. Ndaj, plani për Tiranën vitin e ardhshëm është, patjetër që 5 ditët që shkojmë në shkollë, kopsht e çerdhe të jenë perfekt, por edhe dy ditët e javës apo gjithë pasditet, të kemi hapësira të reja tek Liqeni”, theksoi Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, u shpreh se Festivali Ndërkombëtar i Balonave do të jetë një aktivitet i përvitshëm, ndërsa vlerësoi se Parku i Liqenit është kthyer tashmë një pikë takimi ku organizohen aktivitete të ndryshme.

Article Logic
Execution time: 0.0036399364471436