Banorët e zonës së “Depos së Ujit” në Njësinë 2 në kryeqytet kanë tashmë rrugë të reja e me standarde, të cilat përfshijnë kanalizime, shtrim rrjeti të telefonisë, ndriçim dhe sinjalistikë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për ndërtimin e dy rrugëve që të çojnë në këtë zonë, të cilat vijnë si zgjatim i rrugëve “Budi” dhe “Mihal Grameno”. Teksa inspektoi rrugët e reja, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja Vasilika Hysi, theksoi se e gjithë zona që deri një vit më parë i ngjante një monopati, tashmë është e urbanizuar.
“Kemi qenë këtu fiks një vit më parë, kur filluam punën dhe kjo ka qenë e gjitha një monopat. Në fakt, ka qenë monopat që kur kam qenë unë fëmijë dhe rritesha në këtë lagje dhe kjo ka qenë pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore, e populluar me njerëz që deri dje i quanin shtëpi të palegalizuara, por sot quhen vila të urbanizuara. Pra, diferenca që bën legalizimi dhe urbanizimi, e kthen shtëpinë në vilë, do të thotë ulim muret, barrierat, pengesat me njëri-tjetrin. Fakti që sot kanë dalë në dritë edhe shtëpitë dhe secili po mundohet me bahçen, stolitë, estetikën e vet, me lyerjen, me mirëmbajtjen, i ka sjellë një hijeshi kësaj zone”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se bashkëpunimi që Bashkia e Tiranës ka me qeverinë qendrore, për legalizimin dhe urbanizimin e këtyre zonave deri dje informale, është mënyra më e mirë për të ecur përpara.
Në gjithë kryeqytetin, Bashkia e Tiranës ka hapur 100 kantiere ndërtimi, ku një pjesë e tyre tashmë kanë filluar të mbyllen, duke u ofruar qytetarëve që kthehen nga pushimet një infrastrukturë moderne. “Jam shumë i lumtur sot që edhe pse kemi hapur 100 kantiere në Tiranë, disa kanë filluar të mbyllen dhe siç kemi premtuar do mbyllim shumicën e kantiereve të hapura, përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Ajo që më vjen mirë është se po kthehen nga pushimet edhe emigrantët dhe kush vjen nga Greqia, Italia apo edhe vende të tjera, thonë: “Ej, kjo është një lagje tipike që do e kishim edhe në një vend evropian, me muret e ulëta, me trotuaret, me ndriçimin!”, tha ai, teksa falënderoi të gjithë ata punonjës që kanë punuar edhe gjatë verës me ritëm të lartë për t’i rikthyer dinjitetin qytetit.
“Dua të falenderoj me gjithë zemër ata që po e kalojnë gjithë gushtin duke punuar, në një vapë sfilitëse, ama është për një qëllim më të lartë, për qëllimin e kthimit të një Tirane në dinjitet dhe kur qytetarët të kthehen nga pushimet, besoj do gjejnë shumë surpriza të këndshme në shumicën e lagjeve të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Në emër të komunitetit të zonës, deputetja e zonës, Vasilika Hysi falënderoi Bashkinë e Tiranës për investimin e kryer, i cili disa vite më parë as nuk mund të mendohej nga banorët. “Sot jemi dëshmitarë të një zone të zhvilluar të urbanizuar dhe me një infrastrukturë që askush nuk do ta besonte. Unë do të doja shumë të falenderoja për të gjithë këtë investim sepse mendoj që Tirana ka nevojë jo vetëm për legalizim, por mbi të gjitha ka nevojë për urbanizimin dhe urbanizimi do të sjellë zhvillimin”, deklaroi Hysi.