INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia e Tiranës përfundon ndërtimin e rrugëve të brendshme të fshatit Mushqeta në njësinë e Krrabës

Bashkia e Tiranës përfundon ndërtimin e rrugëve të brendshme të fshatit Mushqeta në njësinë e Krrabës

Publikuar më: 10:44 26-08-2017

Mushqeta në njësinë e Krrabës për nga aktiviteti ekonomik dhe organizimi i banesave mund të jetë fshat, por infrastruktura e rrugëve nuk ka asnjë dallim me qytetin. Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e të gjithë rrjetit të rrugëve të brendshme të fshatit Mushqeta, të cilat lidhin banorët e kësaj zone me njeri-tjetrin dhe rrugën nacionale Tiranë – Elbasan.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Admir Abrija, inspektoi përfundimin e projektit dhe theksoi se ky ishte një investim i munguar prej vitesh dhe që i shërben 800 banorëve të këtij fshati.

“Pas investimit të parë që bëmë në Krrabë, duke lidhur aksin e autostradës me Krrabën, një investim që nuk ishte prekur me dorë prej 60 vitesh, tani kemi filluar në nivel kapilar në të gjithë degëzimet e fshatrave të njësisë administrative Krrabë”, tha kryetari Veliaj. Ai theksoi se investimet në infrastrukturë në fshatrat që shtrihen përgjatë rrugës së vjetër Tiranë-Elbasan vijnë edhe si një përgjigje e Bashkisë së Tiranës për të amortizuar kostot që solli ndërtimi i autostradës për këtë zonë.

“Patjetër që jemi të gëzuar që qeveria qendrore po bën autostradën Tiranë-Elbasan, shkohet më shpejt nga Tirana në Elbasan, por kjo vjen edhe me një risk, që i kthen shumë prej fshatrave dhe vendbanimeve përreth autostradës në xhepa. E vetmja mënyrë se si mund ta shmangim këtë është që të vazhdojmë me këtë buqetë investimesh në të gjitha rrugët kapilare, pra nga akset kryesore në fshatra dhe në lagjet e tyre, që e bën më të vizitueshme, që rrit vlerën e pronës, që fton njerëz nga Tirana o për të konsumuar një vakt, o për të blerë produkte bujqësore, o për t'u argëtuar në natyrë, me hiking, me ekskursione të ndryshme. Kjo është e vetmja mënyrë se si i garantojmë të ardhme kësaj zone”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të madhe edhe transportit publik. Ndaj, ai dha lajmin për të gjithë qytetarët e Tiranës, se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë testimin se si do të funksionojnë mjetet elektrike të transportit publik. “Po investojmë tek rrugët, por edhe tek mjetet e reja të transportit. Sapo kemi konfirmuar që këtë vjeshtë Tirana të jetë qyteti ku do të testojmë autobusët elektrikë për herë të parë, për të parë se si përgjigjen me parametrat e rrugëve të Tiranës, të motit, të temperaturës dhe të distancave të linjave tona. Me të kaluar me sukses periudhën e testimit do të bëjmë porositë për t'u siguruar që Tirana është avangardë në Evropën Juglindore, kur vjen puna edhe tek cilësia e transportit, por sigurisht edhe tek infrastruktura që na mundëson transporti”, bëri të ditur Veliaj.

Rrugët e brendshme të fshatit Mushqeta ishin në trajtë natyrore, të patrajtura me shtresa, gjë që shkaktonte probleme në qarkullim, si në kohën e dimrit për shkak të baltës, ashtu edhe në kohën e verës nga sasia e madhe e pluhurit. Në total, ato kanë një gjatësi 1500 metra dhe janë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme, ndërsa në një pjesë të mirë janë shoqëruar edhe me ndërtimin e mureve mbajtëse.

Article Logic
Execution time: 0.0037949085235596