Bashkia e Tiranës projekton zgjerimin e projektit të tarraceve të gjelbra pas pilotimit të bërë në tarracën e institucionit. Një projekt i tillë mund të zbatohet edhe në institucionet publike ashtu edhe ne banesat private ku bashkia është bashkëfinancuese. Veliaj i bëri thirrje administratorëve të aplikojnë pranë bashkisë për të gjelbëruar tarracën e pallatit të tyre.
Projekti i tarracave të gjelbra në kryeqytet do të shtrihet në ndërtesat publike dhe private, ku Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese.
Nga pilotimi i realizuar në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit i është shtuar një tjetër tarracë e gjelbër, ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.
“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal. Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha kreu i Bashkisë Veliaj.
Për realizimin e këtij projekti që është një risi për vendin, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime të cilat i renditi kreu i Bashkisë së Tiranës, “Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private. Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim. Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.