INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bashkia rrit pagat e punonjësve të saj,Veliaj: Kjo është një mënyrë për të vlerësuar të gjitha ata heronj të heshtur të Bashkisë Tiranë

Bashkia rrit pagat e punonjësve të saj,Veliaj: Kjo është një mënyrë për të vlerësuar të gjitha ata heronj të heshtur të Bashkisë Tiranë

Publikuar më: 19:59 05-04-2017

Bashkia e Tiranës është e para që i përgjigjet apelit të qeverisë për të rritur pagat për punonjësit e vet dhe për të gjithë ata që punojnë në sektorin publik. Por ajo që bie në sy nga vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak është se nga rritja e pagës përfitojnë më shumë nivelet më të ulëta të pagave, ndërkohë që Veliaj ka përjashtuar veten nga rritja e pagës.

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj theksoi se kjo është rritja më e madhe e rrogave e viteve të fundit.

“Kjo është një rritje nga e cila përfitojnë më shumë nivelet më të ulëta të pagave, ndërkohë që në nivelet e larta drejtuese të Bashkisë rritja është shumë më modeste, kurse për kryetarin e Bashkisë rritja është zero. Kështu, punonjësit administrativë do të përfitojnë rritje që variojnë nga 5 – 7%.

Ndërkohë që për punonjësit e shërbimeve (ata që në gjuhën popullore quhen punonjësit e punëve të krahut) rritja është shumë më e ndjeshme dhe shkon nga 20 deri në 25% të rrogës së tyre. Kjo është në fakt një mënyrë për të vlerësuar të gjitha ata heronj të heshtur të Bashkisë Tiranë, që nuk u qëllon shpesh të jenë në qendër të vëmendjes, por pa punën e të cilëve qyteti thjesht nuk do të funksiononte dot”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar një vendim të drejtë, Kreu i Bashkisë deklaroi se ky vendim është dhe një vlerësim për të gjithë punonjësit e bashkisë, veçanërisht ata që bëjnë dhe punët e rënda.

“Është një mënyrë për të vlerësuar punonjësit e pastrimit, të gjelbërimit, ata që çdo ditë shtrojnë pllaka dhe asfalt, ata që çdo ditë hipin mbi kosh për të ndërruar poçat e siguruar që meremetohet i gjithë ndriçimi, ata që merren me kanalizime e pastrimin e ujërave të zeza të gjithë pusetave të Tiranës, ata që merren me mirëmbajtjen e kopshteve, shkollave e çerdheve”, tha Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0020270347595215