Protagonistët e një prej përballjeve më të famshme të vitit të kaluar, Conor McGregor dhe Floyd Mayweather kanë deklaruar ditët e fundit se mes tyre nuk do të ketë asnjë revansh. Megjithatë babai i amerikanit ka pohuar se gjithçka e papritur mund të ndodhë.
Përmes një deklarate të bërë publike ditën e sotme, Floyd Mayweather Sr , babai i boksierit 40-vjeçar, ka ndezur situatën, duke deklaruar se djali i tij e ka pasur gjithmonë fiksim një duel në kafaz.
“Floyd është i ri, ka ende shumë vite përpara dhe e di që ai e mendon shpesh një sfidë të tillë, që mund t’i japë shumë para. Unë dua që ai t’i ketë të gjithë paratë e botës, por ajo sfidë në kafaz mund t’i japë edhe më shumë famë, shumë të tjera të ardhura”, u shpreh babai i boksierit Floyd Mayweather, duke deklaruar se gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen mes dy sportistëve.